Të shtunën “Juban Danja” do zhvillojë ndeshjen e rradhës në kampionat atë me Kamzën. Kjo ndeshje do luhet në transfertë por drejtuesit e këtij ekipi duket se nuk e kanë shumë mendjen tek kjo sfidë. Më shumë atyre u intereson përballja e javës tjetër, ajo që do luajnë me Adën, skuadrën tjetër pretendente për titull. Megjithatë trajneri Kreshnik Krepi nuk ka dëshirë të shkojë “kaq larg”. Për të, e rëndësishme është njëherë të kalohet me sukses ndeshja e rradhës me Kamzën. “Në letër duket ndeshje e lehtë kjo me Kamzën por unë nuk mendoj kështu. Duhet të bëjmë shumë kujdes, t’i marrim gjërat ashtu siç duhet. Duhet ta vlerësojmë drejt këtë ndeshje dhe ta fitojmë në fushën e lojës dhe jo me fjalë. Vetëm pasi të kemi kaluar me sukses këtë sfidë, mund të fillojmë të mendojmë pastaj për ndeshjen tjetër me Adën”-ka thënë Krepi. Me logjikë, ajo çfarë thotë trajneri i “Juban Danjës” është e vërtetë por nga ana tjetër, të gjithë e kanë të qartë se diferencat mes dy ekipeve janë të mëdha prandaj dhe askush nuk e vë në dyshim fitoren ndaj Kamzës nesër.