Në Shkodër kanë qenë gati për nisjen e kampionatit kombëtar të basketbollit si për femra ashtu edhe për meshkuj. Por shtyrja e tyre edhe për të paktën një javë, u ka prishur jo pak humorin sportistëve dhe trajnerëve të tyre. Për trajnerin e ekipit të femrave të Vllaznisë Rajmond Rasha, të tilla shtyrje janë absurde. “Nuk janë aspak normale që kampionatet shtyhen në një mënyrë të tillë. Asht si me nis një vrapim por pa ditë gja se ku don me shku. Më duket absurde një gjë e tillë. Ishim përgatitë për ta luajt ndeshjen e parë këtë të shtunë me Kamzën por prapë u shty kampionati. Kjo s’më pëlqen aspak”-ka thënë Rasha. Ndërkohë i pyetur në lidhje me pretendimet e ekipit të tij në kampionatin e ri, ai ka thënë: “E rëndësishme është që vajzat janë një vit më të mëdha në moshë dhe kjo do ketë ndikimin e vet. Pastaj, kemi afruar dy vajza nga ekipi i të rejave për të plotësuar 10-shen ndërkohë që na është larguar një vajzë për tek Studenti. Pretendimet e Vllaznisë do jenë për të bërë më mirë se sezonin e kaluar”.