Java e 17-të e Superligës do mbyllet sot me takimin mes Dinamos dhe Tiranës. Ndeshje që do mbyllë edhe këtë raund të kampionatit. Kjo javë prodhoi disa rezultate intersante siç ishte ndalesa e Vllaznisë në shifrat 1-1 përballë Egnatias apo edhe fitorja 2-4 e Laçit kundër Teutës.

Por ajo çfarë bie në sy në këtë javë është fakti se vetëm Vllaznia ka luajtur në shtëpinë e saj gjatë kësaj jave. Shkodranët si gjithmonë ndeshjet si pritës i kanë zhvilluar në stadiumin e tyre në “Loro Boriçi”. E të gjithë ekipet e tjera kanë “shtegtuar” për të luajtur takimet e kësaj jave.

Kështu Kukësi që fitoi mbrëmë 1-0 kundër Skënderbeut e luajti ndeshjen e tyre në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Teuta priti Laçin në stadiumin e Rrogozhinës, “Egnatia Arena” në humbjen e tyre 2-4 përballë kurbinasve. Partizani po ashtu nuk ka një fushë ku të zhvillojë ndeshjet si pritës.

Të kuqtë barazuan 0-0 ndaj Kastriotit në “Elbasan Arena”. E po ashtu Dinamo sot pavarësisht se kursen kilometra duke mos udhëtuar jashtë kryeqytetit.

Sërish duhet të paguajë për të luajtur në “Air Albania”. Një problematikë shumë e madhe kjo me fushat këtë sezon, ku kjo javë vendosi rekord duke qenë se vetëm Vllaznia ishte ajo që zhvilloi ndeshjen në fushën e saj përkatëse.

Endri ÇINARI