Java e 18-të e Superiores nuk ishte pozitive për Vllazninë. Kjo pasi shkodranët humbën kundër Bylis me shifrat 1-0. Duke prishur kështu ecurinë perfekte me vetëm fitore në vitin 2023. Por gjithsesi një shkodran u bë protagonist në këtë raund të kampionatit. Fjala është për Sebastian Spahiun, futbollistin e Laçit.

Shkodrani i lindur dhe rritur në Belgjikë, ku madje zotëron edhe pasaportën belge ishte ndër më të spikaturit në fitoren 4-1 të kurbinasve përballë Kastriotit. Spahiu arriti madje të gjente edhe golin e dytë të takimit, pasi më parë shifrat ishin zhbllokuar nga Shkurtaj.

Për të është sezoni i dytë në Superligë, e pikërisht në rradhët e Laçit. Të cilët duket se kanë goditur sërish në shenjë, me një futbollist të cilin nuk e njihte askush e tashmë nga java në javë po shndërrohet në protagonist. Spahiu aktivizohet në rolin e mesfushorit fantazist e kryesisht spikat për pasimet dhe driblimet e tij. Duke qenë kështu shumë i rëndësishëm për skuadrën laçiane.

Në moshën 23-vjeçare dhe pasi është zhvilluar tek moshat e Mouscron në Belgjikë dhe dy eksperiencave si i huazuar në Spanjë tek Guijuelo dhe Izarra, duket se tashmë ka gjetur formën e duhur në kampionatin tonë.

Me paraqitje të tilla me siguri edhe mesfushori do ketë oferta nga jashtë vendit. E me Laçin si një ekip ekspert për transferime gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen.
Endri ÇINARI