Mbrojtësi i Egnatias, Gëzim Krasniqi, së bashku me Pedro Auguston, ishin 2 ndër futbollistët më të dalluar në triumfin 3-0 që rrogozhinasit arritën në shtëpi ndaj Vllaznisë. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, Krasniqi u shpreh:

“Kemi qenë shumë në tension gjatë gjithë javës, e kemi përgatitur ndeshjen shumë të përqendruar. Luanim ndaj një prej skuadrave më të mirë të Superiores. Na ndihmoi fati që shënuam në pjesën e parë, i gëzohemi shumë kësaj fitore. Po vendosemi më mirë faktikisht, dhe po e bëjmë mirë punën. Na dogji shumë barazimi ndaj Partizanit, e kishim mendjen atje. Kjo fitore na dha një moral shumë të madh për vazhdimësinë.

Në të gjitha skemat kishim punuar me Pedron. Kishim shumë besim që do të na ndihmonte duke shënuar dhe të na i bënte më të lehtë fitoren. E kemi mbështetur gjithmonë.

Kemi forcën e grupit dhe dëshirën për të fituar. Pedro e ka marrë topin. Mund të ketë kalkulime, e dimë të gjithë, jemi në Shqipëri, të pranojmë realitetin. Po të marrim pikët që na duhen për të shpëtuar jemi në rregull. Rivalët të bëjnë atë që dinë ata”, u shpreh Gëzim Krasniqi.