Shkuarja e trajnerëve shqiptar në kampionatin kosovar të futbollit tashmë është kthyer në modë.

I pari që hapi rrugën sivjet ishte Blendi Shkëmbi që mori drejtimin e Lirisë së Prizrenit, e më pas këtë rrugë morën me rradhë edhe Josa, Magani, Starova, madje edhe Devolli që drejton ekipin e KEK-ut.

Në diskutimet e bëra mbrëmjen e së hënës në “Procesi sportiv” është folur jo pak për këtë temë dhe të ftuarit kanë përmendur Shkëmbi si trajnerin e parë që “zbuloi tokën Kosovë”.

Por ajo që ka rënë në sy ka qenë ndërhyrja e ish- arbitrit të njohur Lorenc Jemini i cili ka thënë: “Në fakt nuk është Blendi Shkëmbi që ka shkelur në Kosovë.

Josa, Starova e Magani i kanë një drekë borxh Samuel Nikajt. Ka qenë ai i pari që shkoi në Kosovë sezonin e kaluar dhe drejtoi me mjaft sukses Flamurtarin e Prishtinës që e ngjiti në Superligën e këtij vendi.

Prandaj, trajnerët aktualë duhet t’ia dinë për nder atij që “zbuloi” këtë kampionat”.
© shkodrasport.com