Pak ditë më parë, Vllaznia në boks arriti një sukses historik: Festoi titullin e 21-të kampion. Padyshim që kjo është një arritje e madhe për këtë ekip dhe boksin shkodran në tërësi sepse tregon dominimin absolut të tij karshi ekipeve të tjera. Interesant është se në ditën e zhvillimit të finaleve, një veteran i boksit, Et’hem Ibrahimi u dhuroi të gjithë kampionëve librat e shkruar prej tij që flisnin për historinë e boksit shqiptar në vite.

Ndërkohë, duke folur për “Shkodra Sport”, një nga kampionët e Shqipërisë, pikërisht 7 herë kampioni Jetmir Kuçi duke folur në lidhje me suksesin e fundit të Vllaznisë, e ka lidhur atë edhe me librat e historikut të boksit. “Duke qenë një pjestar i ekipit shkodran në vite, padyshim që jam krenar për këtë arritje historike sepse 21 vite kampion janë shifra vërtetë të paarritshme. Edhe titulli i sivjetëm ishte i merituar. Tirana në fakt kishte ardhur me mungesa por mungesa kishte edhe Vllaznia dhe ky nuk është justifikim. Ekipi shkodran vazhdon serinë e sukseseve të tij dhe po shkruan historinë e boksit shqiptar, ndërkohë që Tiranës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shkruajë libra. Nuk mund të jetë ndryshe sepse diferencat në mes këtyre ekipeve sa i takon fitores së trofeve, janë vërtetë të mëdha”-ka thënë Jetmir Kuçi, një nga boksierët më të talentuar të Shqipërisë pas viteve ’90.

© shkodrasport.com