Kampionati kombëtar i shahut për të rritur është përmbyllur pak ditë më parë duke shpallur edhe fituesit e tij për vitin 2017. Me interes pritej paraqitja e shahistit shkodran Franc Ashiku që vitet e mëparshme ka qenë edhe kampion i vendit. Në këtë kampionat, ky sportist ka përfaqësuar sërish ekipin e Naftëtarit të Kuçovs.

Rivaliteti ka qenë i madh dhe në fund Ashiku është renditur i treti. Garat janë zhvilluar për 9 ditë me radhë, teksa 10 finalistët e kualifikuar matën forcat mes tyre në një garë të luftuar deri në raundin e fundit. Kjo edhe për faktin se ishte finalja e parë në historinë e shahut shqiptar ku u aplikua vleftshmëria e variacionit ELO nga FIDE, siç e shpjegoi instruktori kombëtar i FIDE, z.Arian Bllaca.Në përfundim të 9 raundeve, vendi i parë i takoi mjeshtrit Llambi Pasku i klubit “Tirana” me 7,5 pikë, i cili përmirësoi rejtingun ndërkombëtar me plus 34 njësi. Në vendin e dytë dhe të tretë u renditën me 6,5 pikë, Mjeshtri Ndërkombëtar, Dritan Mehmeti, dhe Mjeshtri i FIDE, Franc Ashiku.

© shkodrasport.com