Laçi-Vllaznia është dueli më i fortë i javës së 27-të në Kategorinë Superiore. Dy ndër pretendentët për titullin kampion do të masin forcat mes tyre ditën e shtunë, duke nisur prej orës 16:00. Fjoart Jonuzi rikthehet si ish në Laç, aty ku kaloi dy sezone.

Mesfushori 24-vjeçar vlerëson bardhezinjtë në prononcimin për mediat, i gëzohet rikthimit të kapitenit Gurishta dhe zbulon objektivin e skuadrës së tij. Vllaznia do të tentojë fitoren, por edhe një pikë në Kurbin mund të cilësohet pozitive.

“Laçin e vlerësoj maksimalisht, sepse ka një ekip shumë cilësor. Është aty me pikë afër me ne. Duhet ta vlerësojmë, por pa e kaluar vlerësimin. Të shkojmë në Laç dhe të bëjmë një ndeshje të mirë të gjithë së bashku.

Rikthimi i Gurishtës? E vërtetë që është një armë më e fortë për skuadrën. Është kapiteni i ekipit, është forcë për ne rikthimi i tij. Do të na ndihmojë shumë në atë krah, është plus rikthimi i tij, shkojmë me besim të plotë në Laç.

Dy humbjet me Laçin? Po t’i marrim në analizë, në Laç humbëm me një gol në fund, këtu na kapi euforia e fitores pas barazimit 1-1. Edhe Laçi është një ekip i mirë, kështu që duhet të jemi pak të kujdesshëm.

Jam i bindur që nesër do të jetë ndryshe, pasi jemi pretendentë. Shkojmë me tjetër synim dhe tjetër motivim ndaj një ekipi që nuk kemi fituar akoma. Fusha e vogël? Nuk është problem, kur jemi mësuar të luamë në fushë me përmasa të mëdha, atje nuk do të jetë problem.

Ne futemi për tre pikë, sepse jemi pretendentë. Nuk kemi frikë, por do të thoja që edhe një pikë është mirë për ne. Të dyja rezultatet për ne janë të mira“, deklaroi mesfushori kuksian i skuadrës së Brdariç.