Ka ndryshuar sërish vendi i zhvillimit të ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra këtë edicion. Në fillim në “Selman Stërmasi”, pastaj në kompleksin e ekipeve kombëtare dhe së fundi, e treta e vërteta, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Lajmi bëhet i ditur për gazetën tonë nga vetë presidenti i ekipit “Juban Danja” Ferdinand Jaku i cili do thoshte: “Nga Federata jemi njoftuar se vendi i zhvillimit të finales ka ndryshuar sërish. Ndeshja do luhet në stadiumin “Qemal Stafa”. Fakti që do luhet në këtë stadium tregon se vetë Federata kërkon t’i japë një rëndësi gjithnjë e më të madhe futbollit të femrave në vendin tonë dhe shpresojmë që ajo të vazhdojë ta shohë gjithnjë e më me interes këtë lloj futbolli”. Pavarësisht ndryshimit të vendimit të zhvillimit të ndeshjes, pretendimet e Juban Danjës mbeten të njëjta: fitorja e kupës. Trajneri Kreshnik Krepi dhe vajzat e ekipit janë përgatitur për të sfiduar kundërshtaret e tyre të ekipit të Kinostudios. Tashmë të gjithë e konsiderojnë favorite ekipin shkodran përderisa në gjysmëfinale ai eliminoi fituesen e kupës në fuqi, njëkohësisht edhe kampionen e vendit, Adën e Velipojës.

www.shkodrasport.com