Penalltia e akorduar në favor të shkodranëve në duelin Tirana-Vllaznia, ka shkaktuar polemika të shumta në opinionin sportive shqiptar.
Të larmishme kanë qenë qëndrimet e specialistëve të gjykimit dhe aty që e njohin mirë lojën e topkëmbës. Një opinion në lidhje më 11-metërshin e fituar nga Bekim Balaj ka dhënë dhe ish-futbollisti i Kombëtares, Redi Jupi. I ftuar në studion e “Precesit Sportiv”, Jupi u shpreh:
“Nuk është penallti fare, kjo nuk ka lidhje fare me penalltinë. S’ka asnjë element për të qenë penallti. Balaj është 1 e 90 e ca i gjatë. Është një nga lojtarët më të fortë të kampionatit tonë. Behiraçe vetëm po ta ketë çelik atë krahun dhe të salduar, pa bërë asnjë lëvizje e paska mbajtur Balajn në atë pozicion për ta ulur dhe poshtë.
Behiraçe e ka vendosur krahun dhe as nuk e ka lëvizur për poshtë. Nuk ka ushtruar fare forcë. Kur veprimi ka konseguencë, në qoftë se mbajtja e Behiraçes, vërtet i ka hequr mundësinë Balës për të kërcyer dhe për të bërë atë aksion, atëherë po. Me dinamikë lëvizje, mënyra se si Behiraçe është vendosur , nuk është penallti.
Në qoftë se veprimi i Behiraçes do e pengonte, atëherë po. Por ai nuk e pengon fare. Dy gabime nuk bëjnë një të mirë. Sepse është bërë një gabim në Botëror, nuk do të thotë që duhet të bëhet edhe këtu”, u shpreh Redi Jupi.