Murlani një skuadër e re në futbollin tonë që i përket rrethinave të Shkodrës po bën emër pak e nga pak. Këtë sezon, ky ekip është pjesë e Kategorisë së Dytë, ku në këtë javë, pikërisht ditën e sotme ka fituar 6-0 ndaj Internacional, në ndeshjen e zhvilluar në Barbullush.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, kapiteni Vildan Kaçubela, autor i dy golave në ndeshjen e sotme me te cilet ka shkuar ne 10 gjate ketij kampioati, ka folur për garën, skuadrën dhe objektivat sezonal, teksa premton për suksese të tjera në të ardhmen dhe i qëndron sërish objektivit që të shënojë 25 gola, ashtu siç pat thënë në një intervistë për “Shkodra Sport”.

“Jam shumë i lumtur për fitoren e sotme ndaj Internacionalit, sepse ky është qëllimi kur hyj në fushë, të korr vetëm fitore. Qëllimi im është sërish që të realizoj 25 gola, por që ngelet për t’u parë deri në fund të kampionatit. Fazën e dytë do ta presim edhe më mirë se në fazën e parë. Do të japim maksimumin deri në fund.

Objektivat e skuadrës janë gjithmonë fitorja e rradhës dhe ky është objektivi jo vetëm i imi por i gjithë ekipit, të cilët të gjithë së bashku stërvitemi me shumë dëshirë dhe i dedikohemi shumë.

Sigurisht që nuk është e lehtë, por unë premtoj se gjithnjë do jap më të mirën nga forca dhe dashuria që kam për futbollin dhe jam i sigurt që ky pozitivitet do na çojë drejt fitoreve të tjera në sezonet e ardhshme”,-thekson ai.

Ndër të tjera, Kaçubela flet edhe për trajnerin e tij, Altin Xhahysën, teksa në fund ka edhe një dedikim special për golat e shënuar sot ndaj Internacional.

“Profesor Xhahysa, është një njeri i jashtëzakonshëm. Mënyra sesi ai na trajton të gjithëve ne, na bën të ndihemi sikur jemi një familje e vërtetë dhe kjo na jep shumë kurajë për të ecur përpara. Çdo sukses dhe fitore të ekipit të Murlanit ia dedikoj edhe profesor Xhahysës.

Dedikimi për golat e sotëm i shkon të gjithë tifozëve të Murlanit, të cilët na ndjekin çdo ndeshje, ku janë treguar tepër besnikë dhe mbështetja më e madhe për ne lojtarët. Premtimi im, është gjithmonë për të punuar sa më shumë që të arrijmë vetëm fitore”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Murlanit, Vildan Kaçubela.
Maringlen ZHIVANI