Ai është njeriu i momentit te skuadra e Tiranës dhe me golat e tij, tetë tashmë, mban bardheblutë në krye të klasifikimit. Në përfundim të ndeshjes ndaj Teutës kampione në fuqi, Taulant Seferi ka folur për gazetën, ku thotë se ndihet i lumtur për formën që po kalon, por thekson edhe se e mira nuk ka fund. Gjithashtu, sulmuesi flet për raportin me Xhixhën në fushë, por prek edhe sfidën e radhës derbi ndaj Partizanit.

Fitore e rëndësishme ndaj kampionëve, si e patë skuadrën?
Pa dyshim një fitore e rëndësishme përpara derbit dhe jam i lumtur për këtë gjë, ashtu siç është i kënaqur i gjithë ekipi.

A keni arritur formën tuaj maksimale te Tirana, duke qenë se keni shënuar 8 gola deri tani?
Besoj që jam mirë për momentin, ashtu siç mund të them që kam akoma për të dhënë. Sigurisht që e mira nuk ka fund, duhet të punoj gjithmonë me maksimumin që të bëj më mirë.

Keni një objektiv për kuotën e golave?
Objektivi është që të ecë ekipi mirë, po eci Tirana kështu, edhe ecuria ime do të jetë e mirë.

Çfarë ju tha Xhixha në momentin që nuk ia pasuat atij topin?
Ndonjëherë vonohemi, si unë, si Xhixha. Jemi shumë mirëkuptues në fushë me njëri-tjetrin. Kur unë ia jap, ai nuk e bën, kur ma jep ai unë e bëj, por kur nuk shënoj unë, shënon ai. Nuk kemi keqkuptime.

Po asisti që ju dha dje?
E dija që do ma jepte atë top. M’u bë qejfi edhe për të, që erdhi pas lëndimit dhe ka bërë një ndeshje shumë të mirë.

Rikthimi, sërish në nivele më të larta?
Normalisht, ai është objektivi im. Por, për momentin jam këtu i përqendruar dhe me ndihmën e Zotit, shpresojmë që çdo gjë të na shkojë mirë.

Derbi ndeshja e radhës për Tiranën…
Siç e dimë të gjithë, ka veçantinë e vet. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Duhet ta marrim sikur është ndeshja e radhës. Të jemi të qetë në kokë dhe të lëshojmë zjarr nga këmbët. Shpresojmë që të jemi në formën tonë më të mirë.

Ju mungon goli në derbi?
Më mungon, nuk kam shënuar ende. Shpresoj të realizoj, pse jo.