Kukësi arriti të fitonte një ndeshje shumë të vështirë në Shkodër ndaj Partizanit. “Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet më interesante të kësaj sfide, që ishte një nga më të bukurat e javës së 14-të të Kategorisë Superiore.

– Njëra portë e stadiumit “Loro Boriçi” ka probleme me rrjetën, e cila nuk është lidhur tërësisht me traversën. Për ta rregulluar mendon një nga punëtorët e fushës, i cili në mungesë të shkallëve përdor një kovë për t’u ngjitur në lartësinë e traversës.

– Esat Mala mban shiritin e kapitenit të Partizanit për herë të parë nga minuta e parë në një ndeshje të Kategorisë Superiore.

– “Bravo Murataj, ajo është”, dëgjohet të thotë Daja në një moment kur mesfushori depërtoi bukur dhe u shfaq i rrezikshëm për Kukësin në formën e sulmuesit të fshehur, që vepron pas shpinës së kundërshtarëve.

– Shumë pak të pranishëm në stadium duke e shtuar atmosferën e ftohtë në stadiumin “Loro Boriçi”. Pa dyshim faktor kryesor i kësaj situate është fakti që luhej në një stadium asnjanës.

– Luhej në veri, larg Tiranës, por ata erdhën në stadium. Tifogrupi “Guerrils” ka qenë shumë i zjarrtë gjatë gjithë takimit.

– Stafi kuqeblu sërish në vëzhgim të kundërshtarëve të radhës. Ato kanë ndjekur nga afër sfidën mes Kukësit e Partizanit.

– Në çdo moment drejtuesit e ekipeve respektive kanë qëndruar në këmbë duke orientuar skuadrat e tyre.

– Në fushë mbrëmë ishin tre lojtarë me mbiemrin Marku. Heraldi e Albioni me fanellën e kuqe dhe Kristi te Kukësi, i cili ka luajtur me Partizanin në të shkuarën.

– Në nisjen e pjesës së dytë, kur Kukësi po i merrte shumë terren dhe po dominonte, Daja tenton të ulë ritmin e kundërshtarit edhe me mënyra alternative. “Qetë o Teqje, qetë se kishte dy veta pranë”, i tha trajneri portierit, i cili e goditi sferën larg duke ia dhuruar kundërshtarit.

– Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, dhe zëvendësi i tij, Elvis Plori, ishin të pranishëm në stadium me qëllim studimin e të dyja skuadrave, veçanërisht Kukësin, që do e ketë përballë të enjten.

– Irritim i të dyja kampeve në minutën e 75-të pas një faulli të akorduar nga gjyqtari i takimit për kuksianët. – Kukësi arrin të dytën fitore si pritës në Shkodër. Pas Tiranës, që e mposhti me të njëjtin rezultat mundën edhe “gjigantin” tjetër të kryeqytetit, Partizanin.