Pas pauzës për shkak të ndeshjeve të kombëtares dhe gjysmëfinaleve të para të Kupës së Shqipërisë, në fundjavë futbolli shqiptar rikthehet me ndeshjet e javës së 27, që shënon njëkohësisht fundin e fazës së tretë të sezonit 2020-2021.

Të 5 sfidat do të luhen në harkun e tri ditëve, teksa gjithçka do të startojë të shtunën në orën 13:45 me sfidën Kukësi-Tirana. Verilindorët nuk mund të luajnë ende në shtëpi, ndaj edhe këtë përballje do ta luajnë në “Egnatia Arena”, që është bërë shpesh stadiumi pritës për Kukësin.

Tirana vrapon drejt kreut dhe kur jemi 10 javë larg fundit të sezonit, ka vendosur një distancë sigurie prej 13 pikësh me Laçin ndjekës, ndaj shkon pa presion në këtë transfertë, ndërsa Kukësi ka nevojën e tre pikëve, për të blinduar pozitat në zonën europiane.

Po të shtunën, në orën 16:45 vëmendja do të spostohet në “Elbasan Arena”, aty ku Dinamo do të presë Egnatian në një ndeshje direkte për mbijetesën. Kryeqytetasit janë në vendin e parafundit me 23 pikë, 4 më pak se Egnatia që kanë mbi vete në renditje, ndaj fitorja është detyrim, pasi çdo rezultat tjetër, do të venitë shpresat e tyre për mbijetesë.

Të dielën vëmendja do të jetë në Durrës, aty ku Teuta do të presë Skënderbeun në “Niko Dovanën” me tapet të ri. Bregdetarët do të kërkojnë një tjetër 3-pikësh ndaj vendit të fundit të kampionatit, në mënyrë që të sigurojnë sa më shpejt mbijetesën, ndërsa nga ana tjetër, korçarët e Skënder Gegës kanë nevojë imediate për pikë, në mënyrë që të provojnë qëndrimin mes më të mirave në fazën e fundit.

E hëna vjen me dy sfidat e mbetura, teksa Partizani do të presë Laçin në “Elbasan Arena”. Të dy skuadrat synojnë rikthimin te rezultati pozitiv në kampionat, me “të kuqtë” që kanë pak shpresa për një vend në zonën europiane, pasi janë larg Kukësit të vendit të tretë.

Po të hënën në orën 17:45, Vllaznia do të presë Kastriotin në “Loro Boriçi”. Shkodranët nuk fitojnë në kampionat që prej 3 marsit, kur mposhtnin 2-1 Dinamon në shtëpi. Shkodranët do të synojnë marrjen e tre pikëve, pasi kanë ende shanse të sigurojnë një vend në Europë nëpërmjet kampionatit, ndërsa nga ana tjetër, krutanët i janë larguar disi zonës së rënies, por kanë ende nevojë për shumë pikë, që të mund të rrinë të qetë.