Kampionia në fuqi të Shqipërisë në volejboll për meshkuj- Vllaznia e Shkodrës, nuk e ka nisur mirë fazën e play off-it.

Ajo e ka humbur ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Tiranës, takim ky i luajtur në kryeqytet dhe kësisoj shanset për të vazhduar më tej, duken gjithnjë e më të pakta.

Në fakt edhe pse fitorja 3-0 mund të duket e pastër, Tirana nuk e pati aspak të lehtë të mundë shkodranët në “Fahrie Hoti” në sfidën e parë eliminatore.

Në setin e parë të dyja ekipet rivalizojnë fort, por në momentet e fundit bardheblutë fitojnë 25-23, sukses që i jep siguri e besin në setin e dytë, ku Tirana fiton 25-18.

Vllaznia kampione në fuqi rivalizon disi në setin e tretë, por pa forcën e duhur dhë në fund Tirana fiton 25-21.

Për shkodranët sfida e kthimit është vendimtare për fatin e tyre në kampionat, pasi mund të dorëzojnë para kohe titullin kampion.

Ajo do të luhet të shtunën në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës dhe në rast fitoreje të Vllaznisë, atëherë për të përcaktuar skuadrën gjysmëfinaliste, do të luhet edhe një takim i tretë dhe i fundit më 10 prill në Tiranë.
© shkodrasport.com