Bekim Balaj erdhi si një afrim i bujshëm i Vllaznisë në sezonin e shkuar. Sulmuesi u rikthye në Superiore ku riveshi fanellën e shkodranëve aty ku lindi si futbollist. Gjysmë sezoni i parë nuk shkoi në mënyrën më të mire teksa shënoi vetëm 3 gola me fanellën kuqeblu.

Ky sezon duket totalisht ndryshe, ndoshta ambientimi ka bërë të vetën, por Bekim Balaj po shkëlqen teksa ka shënuar 5 gola në po kaq ndeshje, mbi të gjitha me shiritin e kapitenit në krah. Ish-bomberi i Kombëtares shqiptare po kalon formën më të mirë të karrierës pikërisht në moshën 32-vjeçare.

Sipas statistikave, një start i tillë i sezonit nuk është arritur kurrë më parë nga Balaj, as në sezonin e tij më të mirë me Tiranën në 2011-2012 ku shënoi 13 gola në 24 ndeshje. Në startin e atij edicioni, Balaj tundi 3 herë rrjetën në 3 takimet e para ndërsa 2 ndeshjet e rradhës mbeti ‘thatë’ derisa shënoi një tregolësh në ndeshjen e 6-të duke e dërguar në 6 gola nga 6 ndeshje të luajtura.

Sot në orën 18:00, Balaj do të udhëheqë Vllazninë e tij përballë Egnatias në Loro Boriçi dhe mbetet të shihet nëse do të festojë një tjetër gol.