Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka zbuluar mënyrën se si është anuluar penalltia e akorduar nga gjyqtari Orlando Kuka në sfidën e sotme ndaj Vllaznisë. Ai ka treguar se delegati i ndeshjes, jashtë ccdo lloj rregulli, ka qenë ai që ka anuluar penalltinë, që në fakt nuk duhej akorduar.

“Nuk dua të bëj koment nëse është penallti apo jo. Por dua të di a është montuar sistem VAR në Federatë a diku rrugës. Delegatit Bujar Pregja i ka ardhur një telefonatë dhe ka vrapuar, thuajse u rrëzua, për të anuluar vendimin. Tani nëse ka, ta shohim të gjithë me sistemin VAR, ta kemi të gjithë dhe të komentojë të gjitha gjërat si u gjykuan sot.

Dua të flas për ndeshjet që kemi kaluar, pas ndeshjes me Tiranën dhe estradës me Teutën, apo edhe në Kupë ku Laccit i mungojnë dy të kuq. Vjen një arbitër i panjohur, nëse bëjnë eksperimente, u duket kjo një ndeshje e lehtë, gabojnë se kjo është një ndeshje që donte me shumë vëmendje.

Në fund të vitit të kaluar, kam pasur një bisedë në Federatë me Jarecin, pretendoja se na mungojnë 7 penallti, më tha janë 6. Tha u mbyll viti e të shkuara të harruara. Fillon viti e po shoh ndeshje pas ndeshje që gabohet ndaj nesh, nuk e di çfarë po ndodh po ne jemi të shqetësuar këtu.

Kur vjen fundi, ndahet ekipi kampion me vendin në playoff në 4-5 pikë, ndërsa Europa me rënien me 2-3 pikë. Nëse ne vazhdojmë kampionatin kështu, është e kotë që të vazhdojmë nëse penalizohemi.

Skuadra duhet të luajë futboll, të shohë veten e vet në fushë e të bëjë futboll fair play dhe nuk ka pse merret me gjërat tona. Për këtë do të flasim edhe ne e marrim masat tona. Përtej deklaratave, ne me skuadrën kemi bërë të kundërtën, i kemi kërkuar të luajë futboll, ajo pjesë i takon atyre, me pjesën tjetër merremi neve si drejtues.

Ka dy rrugë, ose të braktisim kampionatin ose të fillojmë nga sot të bëjmë lëvizje. Do na detyroni të na plasë cipa, se kur bëhen 2, 3, 4 raste jemi njerëz e kemi momente e humbasim edhe ne, se jemi njerëz me gjak, nuk mund të durojmë padrejtësi që po na bëhen javë pas jave”, tha Kapllanaj. /vipsport/