Kastrioti ka vijuar përgatitjet që prej së hënës për ndeshjen e javës së pestë, të cilën do ta zhvillojë të dielën në transfertë ndaj Vllaznisë.

Edhe pse morën vetëm një pikë ndaj kampionëve në fuqi të Tiranës, atmosfera në skuadrën krutane ka qenë e mirë, teksa ka mbizotëruar harmonia, e cila tashmë është një nga armët më të forta të ekipit që drejtohet nga trajneri Emiliano Çela.

Për ndeshjen me shkodranët, krutanët do ta kenë kontigjentin e plotë, pasi edhe futbollistët që kanë pasur probleme fizike, po marrin formën optimale. Në fakt, përballjet me Vllazninë kanë qenë të luftuara ndër vite, por sezonin e shkuar krutanët kanë arritur të fitojnë vetëm një nga katër ndeshjet e luajtura, ndërsa në tre të tjerat kanë triumfuar shkodranët.

Trajneri Çela ka krijuar një skuadër kompakte, që nuk është e fortë vetëm kur luan në stadiumin e Kamzës, por edhe në transferta. Këtë e tregoi fitorja me përmbysje që krutanët arritën ndaj Kukësit dy javë më parë. Ndërkohë, të dielën do të kërkohet një tjetër triumf në Shkodër.
Maringlen ZHIVANI

Formacioni i Kastriotit që mund të luajë ndaj Vllaznisë: Sali, Prenkoçeviç, Stojanoviç, A. Selmani, Rami, Karakaçi, Mehmeti, Greca, Hasani, Zogaj, Morbeck (Kodra) Tr: Emiliano Çela