Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëria ka prodhuar çudira nga më të ndryshimet. Ka skuadra që nuk kanë lekë të udhëtojnë në një ndeshje transferte, diku ka dhunë, e diku fusha është një moçal i vërtetë, por natyrisht ka edhe luks.

Madje, ka edhe ekipe që shesin edhe lojtarë siç ishte rasti i Bylisit që përfitoi plot 40 mijë dollarë! Një luks për një qytet dhe skuadër të vogël.

Por, jo vetëm kaq, sepse në 20 qytet që marrin pjesë, janë shumë skuadra që bëjnë pjesë në traditën e futbollit shqiptar.

Nga Vllaznia e Dinamo që bëjnë pjesë në Grupin A, për të vijuar me Elbasani, Besa, Apolonia, Tomori, Lushnja e Bylisi në Jug.

Lëvizjet / Grupi A

Veleçiku – Me fat që kanë Shkodrën afër. Lojtarë të Vllaznisë B apo dhe stolit të Vllaznisë A, e nga të rinjtë kuqeblu kanë firmosur. Markolaj, Bega, Vjerdha apo dhe Kola, Balaj e Kuka.

Gjashtë futbollistë që e njohin Kategorinë e Parë. Por, priten edhe të tjerë, sigurisht po nga Shkodra.

Vllaznia – Blerja më e mirë e shkodranëve deri më tani është trajneri Hasan Lika. I vetmi që mund të ndërtojë një ekip mes tensionit dhe presionit që ka Shkodra.

Vllaznia ka ruajtur “boshtin” e sezonit të shkuar. Sherri, Selimaj, Tafili, Lika, Marku, Bardulla, Krymi, Pjeshka e Gurishta.

Po provohen lojtarë nga të “katër anët” e globit. Kanë ende shumë për të bërë, ndryshe mund të rrezikojnë rikthimin.

Dinamo – Blutë duket se kanë pretendime, të paktën drejtuesit janë përpjekur që të ruajnë grupin, duke mbajtur 7-8 nga titullarët e sezonit të shkuar.

Por, kanë afruar edhe kualitete si: Jetmir Sefa që është një lojtar me shumë cilësi. Ashtu si edhe kanë afruar Arjan Shetën, me një eksperiencë të madhe në futbollin shqiptar.

Por edhe disa elementë të spikatur sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë. Laço në portë, apo dhe Selimaj, Lala, Vrapi e Prendi janë lojtarë që e kanë bërë më solide Dinamon.

Erzeni – Në stol është sërish Gentian Stojku. Skuadra ka pësuar shumë ndryshime, nga porta në sulm, me largime e afrime titullarësh. Shijakasit kanë ambicie, ndërsa kanë afruar golashënuesin e Kastriotit, nigerianin Kabiru Dumoye.

Korabi – Ka ruajtur stafin, me Bubeqin, Gumën e Mziun, por janë larguar thuajse tërë titullarët e vjetshëm.

Erand Hoxha e Mirel Duka do të jenë shtyllat e skuadrës, ndërsa shumë të rinj nga Tirana dhe jo vetëm si: Koçi, Trimi, Kovaçi, Reçi, Hoxha, Osmani e ndonjë tjetër janë afruar për të kontribuar te dibranët që objektivat i kanë minimalë.

Besëlidhja – Lezhjanët kanë ruajtur grupin e vjetshëm. Kanë bërë disa largime dhe presin dy lojtarë nga Guinea.

Në Lezhë duan të surprizojnë këtë sezon. Me Ndriçim Kashamin që në korrik ka marrë drejtimin e skuadrës, ekipi duket në rrugë të mbarë.

Burreli – Skuadra është shumë ndryshe nga një vit më parë. Një ekip që po ndërtohet nga e para.

Ajazi do të vijojë të jetë në sulm, ndërsa është afruar kamerunasi Xhixhiua, ish-i i Partizanit dhe Erzenit. Burreli, ndryshe nga vjet kërkon që mbijetesën mos ta sigurojë më në javët e fundit.

Iliria – Skuadra e Salës është ajo e një viti më parë. Afrimi i portierit Elson Demit, portierit që ka luajtur me Besëlidhjen dhe Butrintin më parë, i jep siguri skuadrës në prapavijë. Pesëshja e parë është synimi i këtij sezoni që do të jetë shumë i vështirë.

Shënkolli – Alert Alcani është rikthyer në stol, ndërsa shënkollasit kanë afruar disa lojtarë me eksperiencë, mes tyre edhe sulmuesit Jurgen Gjini por edhe Gentian Shkoza.

“Boshti” i vjetshëm me Danajn, Kullin, Bakun, apo të rinjtë Nekaj, Veseli e Redon Danaj janë në skuadrën e Alcanit.

Vora –  Për herë të parë do të luajë në Kategorinë e Parë. Një skuadër që ka më pak se një dekadë që është formuar, por shumë shpejt ka ngjitur shkallët.

Vora me stafin e vjetshëm ka mbajtur “njeriun-gol’, sulmuesin Artur Sejdini, por edhe disa nga titullarët e vjetshëm.

Ka afruar kualitete dhe lojtarë me eksperiencë si: Florian Peqini apo Emiljano Veliaj. Pa harruar edhe të rinj me perspektivë si: Myslimi, Allmeta etj.