Katër atletë të Vllaznisë janë nisur sot drejt Bosnjës për  të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar që zhvillohet atje. Ftesa e ardhur në adresë të ekipit shkodran është mirëpritur nga drejtuesit e tij dhe në këtë mënyrë është vendosur marrja pjesë në këtë turne që do të zhvillohet ditën e mërkurë në qytetin e Zenicës. Pjesmarrës në këtë turne do të jetë atleti Jonaldo Quku që do të konkurrojë në garat e 100 dhe 200 metrave, do jetë Lulëzim Çengeli që do të konkurrojë në 400 metra si dhe dy sportistët që do të konkurrojnë në garat e kërcimeve, atë të kërcimit së gjati dhe në trehapësh. Bëhet fjalë për Ergys Gjeçajn dhe Suad Bashkun. Këto dy sportistë do të jenë të shoqëruar nga trajnerët Albert Marashi dhe Fatjon Serhati.

Kuptohet që objektivi I këtyre sportistëve do të jetë për të bërë një paraqitje sa më të mirë dhe kuptohet për të tentuar futjen në zonën e medaljeve e njëkohësisht, edhe bërja gati për kampionati kombëtar. “Nuk e kemi të qartë ende se cilët sportistë të tjerë do marrin pjesë në këtë turne e prandaj nuk mund të themi saktësisht se çfarë pretendojmë me sportistët tanë megjithatë e rëndësishme është që ata të paraqiten mirë dhe të tregojnë vlerat e tyre”- ka thënë trajneri Serhati. Megjithatë vëmendja kryesore e sportistëve është e përqendruar tek kampionati kombëtar. Ky I fundit është vendosur që të zhvillohet në datat 9-10 qershor në Tiranë dhe kuptohet që objektivi është shpallja kampion I Shqipërisë edhe për këtë vit. Marrja pjesë në turneun e Zenicës është padyshim një motiv më tepër për këta sportistë për të treguar vlerat e tyre dhe tashmë mbetet të shohim se çfarë rezultatesh do arrijnë.
Gjergj KOLA