Prej një viti, Partizani ka nisur një projekt të ri, duke u bazuar kryesisht tek evidentimi dhe promovimi i lojtarëve të rinj nga tregu vendës. Drejtuesit e kuq kanë hedhur vështrimin nga shkolla shkodrane e futbollit, që shquhet si një fabrikë në prodhimin e talenteve.

Ndaj, në kuadër të këtij projekti, mësohet se të kuqtë do të nënshkruajnë një marrëveshje binjakëzimi me akademinë “KF Shkodra”, nga e cila kanë dalë edhe dy lojtarë që ka në ekip, Rubin Hebaj dhe Senad Hysenaj.

Ka qenë trajneri Rudi Piraniqi, i biri i Taipit, themeluesit e këtij klubi, që për “Panorama Sport” ka konfirmuar lajmin. “Kemi rënë dakord me drejtuesit e Partizanit që të vendosim një bashkëpunim mes dy klubeve, nisur edhe nga lojtarët që po luajnë te të kuqtë. Së shpejti, akademia “Shkodra” do të bëjë një binjakëzim me klubin Partizani.

Është në traditën e vetë Partizanit si klub me bashkëpunuar me Shkodrën, duke filluar nga Loro Boriçi, Lin Shllaku, Sabah Bizi e shumë breza me radhë për të ardhur te më rinjtë, siç është Hebaj e Çinari. Partizani gjithmonë ka pasur një bosht shkodran në ekip dhe u ka ecur.

Në Shkodër ekziston një opinion që e akuzon Partizanin për zbritjen në Kategorinë e Parë, por unë nuk jam me këtë opinion, pasi Vllazninë e hodhi vetvetja”, u shpreh Rudi Piraniqi.