Para 22 viteve trajneri Taip Piraniqi themeloi “KF Shkodra”, e cila u bazua kryesisht te moshat e reja. Nga radhët e këtij klubi kanë dalë disa futbollistë të spikatur, si Elseid Hysaj, Sindrit Guri, Armando Vajushi për të ardhur te më të freskëtit, siç është rasti i Rubin Hebajt, heroi i derbit të fundit të kryeqytetit.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Taip Piraniqi rrëfen se kush është Rubin Hebaj dhe cilat janë cilësitë që ai akoma nuk i ka shprehur te Partizani.
Trajneri që ka zbuluar sulmuesin tregon stilin e lojës që i përshtatet Hebajt, si dhe arsyet që kanë sjellë në shpërthimin me vonesë të 20-vjeçarit. Në fund, Taip Piraniqi flet edhe për shijen e Superiores pa Vllazninë dhe kush del kampion këtë sezon.
Profesor Piraniqi, si ishtrajner i Rubin Hebajt që tek ekipet e moshave, si e përjetuat shpërthimin e sulmuesit në derbin e fundit?
Të them të drejtën, të gjithë sportistët që kanë dalë nga klubi jonë “KF Shkodra” dhe që kanë arritur në këto nivele i ndjekim me mundësitë që kemi. Ashtu si Hysajn, Gurin, Vajushin, por edhe Hebajn, nga të fundit që ka dalë nga klubi ynë, i ndjekim dhe gëzohemi. Më vjen mirë për Rubinin, pasi nuk pati fat me lëvizjen që bëri në Slloveni. Ai kishte nevojë që të aktivizohej. Rikthimi në Superiore te Partizani ka pasur problemet e tija, pasi hapësira nuk ka qenë e madhe për të.
Hapësirat ai i pati në fillim, por pyetja është pse vonoi kaq shumë që të dalë në skenë me golat e tij?
Mbase u deshën dy ndeshjet e fundit me Kombëtaren U21, ku realizoi 3 gola. Hebaj shquhet, pasi cilësitë e tija janë si golashënues. Edhe në periudhën që luajti te Vllaznia, golin e tregoi si cilësi. Me moshat, në periudhën 12- 14 vjeç, ai shënonte nga 60 gola gjatë një sezoni.
Pritshmëritë e të gjithëve kanë qenë që Hebaj të shënonte edhe te Partizani dhe për këtë arsye u fol shumë për vonesën e golit. Mbase ka ndikuar edhe mënyra e të luajturit, pasi çdo ekip ka specifikën e tij, mënyrën si e organizon, si i shërbejnë lojtarit. Mbase edhe te lojtari ka pasur ndonjë aspekt psikologjik që ka ndikuar tek ecuria e tij.
Si e shikoni në vijim?
Besoj se shpërthimi te Shpresat dhe dy golat në derbi do të ndikojnë për mbarë. Rëndësi ka që ta ruajë këtë ecuri pozitive. Tani duhet besim nga vetë lojtari dhe klubi për vazhdimësinë.
Mos ndoshta te ngërçi ndikoi presioni i madh që ishte mbi Hebajn, si pika referuese në sulm?
Pa dyshim që efektet psikologjike kanë ndikuar, pasi unë e njoh atë si një djalë me sedër. Ai është nga ata sportistët korrekt dhe të ndjeshëm në realizimin e objektivit personal. Besoj se ngërçi i fillimit ka qenë kryesisht në aspektin psikologjik.
A ka ndonjë tipar të veçantë Hebaj, që akoma nuk e ka shfaqur te Partizani?
Hebaj është një nuhatës i mirë i portës dhe ka inteligjencë në lojë. Marrëdhëniet me topin i ka të mira. Është një lojtar i lojës në ajër, ndonëse nuk është shumë shtatlartë, di të gjeje kohën e goditjes. Këto janë cilësitë që unë njoh te Hebaj.
Duke qenë 20 vjeç, mos ndoshta lojtarit i duhet kohë që të mësohet me mënyrën e lojës së Partizanit?
Hebaj është rritur te KF Shkodra, më pas ka kaluar te Vllaznia dhe thuajse të dy si klube kemi të njëjtin stil loje. Partizani ka një specifike ndryshe loje, pavarësisht se kanë ndryshuar brezat. Në përgjithësi, të kuqtë janë bazuar te mënyra e të luajturit me topa të gjatë. Por Partizani aktual ka disa lojtarë si Mensah, Mala dhe Asani që mund të luajnë me topin dhe i përshtaten edhe lojës së Hebajt. Besoj se këta lojtarë që përmenda kanë pika takimi për të nxjerrë në pah vlerat e Rubinit.
Pra, Hebaj duhet të shërbehet që të gjejë golin…
Jo vetëm të shërbehet, por edhe mënyra e lojës për Hebajn duhet ndryshe, jo me topa të gjatë. Hebaj është mësuar të jetë rezultativ me topa të shkurtër, me topa në korridor, me kombinacione. Hebaj është lojtar i zonave të vogla, i topave pas shpinës së kundërshtarit, jo i kundërsulmeve. Por, ata lojtarët që përmenda më lart (Mala, Mensah, Asani), i kanë mundësitë që ta shërbejnë si duhet Hebajn.
Goli i dytë i Hebajt në derbi ishte “Made in Shkodra”, pasi krosi i Çinarit u finalizua nga ish-sulmuesi juaj…
Jo më kot përmenda mënyrën e të luajturit te Hebaj. Ky gol vërtetoi më së miri atë që thashë për Rubinin dhe mënyrën e tij të të luajturit. Tani varet nga besimi që do t’i japë trajneri për vazhdimësinë. Për mua, ai tani kërkon përkrahje dhe duhet të futet në formacion që nga minuta e parë. Është momenti që të rritet besimi dhe Hebaj t’i shërbejë Partizanit dhe vetes.
Po zërat se Partizani ka nevojë për një “pykë”, mendoni se kanë pasur efekt negativ te paraqitja e Hebajt?
Faktikisht, Hebaj u afrua te Partizani për atë qëllim, që të jetë pika referuese në sulm dhe golashënuesi. Mbase në fillim lojtari nuk iu përshtat ekipit të ri. Erdhi pas një sezoni jo të mirë në Slloveni, ku dëmtimi e la shumë jashtë fushave. Këto e kanë penalizuar futbollistin në fillim të sezonit, por tani është momenti i tij, pasi ka shënuar 3 gola me Shpresën dhe dy në derbin e kryeqytetit. Këto janë momentet që sportistët duhet të dinë që t’i shfrytëzojnë në favorin e tyre.
Ju e njihni nga “rrënjët” Rubin Hebajn. Për pak hapet merkatoja e dimrit. A duhet Partizani të besojë te 20-vjeçari apo duhet të afrojë një sulmues tjerët në janar?
Si ish-trajner i tij, mund të them se Partizani nuk ka nevojë pasi ka Hebajn. Ndërsa po të jem trajner i Partizanit, jam i mendimit se çdo lojtar ka nevojë për një përforcim që ta vërë në lëvizje, duke i shtuar konkurrencën.
Si e shikoni Kategorinë Superiore pa Vllazninë?
Sinqerisht, jo vetëm për ne që jemi marrë gjithë jetën me sport, por për të gjithë sportdashësit shkodranë, është e pranueshme. Por, në fund të fundit, ka qenë një periudhë që e kemi parapërgatitur veten shpirtërisht për këtë nivel. Nuk ishte rastësi dalja e Vllaznisë, pasi kishim 4-5 vite që notonim në ato ujëra. Rikthimin në Superiore nuk e vë në dyshim, por kam frikë se mos na ndodh si me Tiranën. Për mua, edhe Vllaznia në atë rrugë është. Vllaznia do rikthehet, por problem është si po rikthehet, pasi nuk vjen fuqishëm.
Çfarë ju bën të dyshoni?
Nuk bëhet fjalë që të rikthehet Vllaznia e dikurshme, ajo që e duan tifozët shkodranë. Vllaznia kërkon një operacion të fortë, për vetë sëmundjet që ka kaluar në periudhën e fundit. Ky operacion nuk po bëhet, këtu e kam fjalën në aspektin organizativ të klubit. Drejtimi nga bashkia lë për të dëshiruar. Vllaznia do të kthehet në Superiore, por nuk jam optimist për vazhdimësinë, kryesisht sa i përket organizimit dhe menaxhimit të klubit.
Po për kampion, kë shikoni këtë vit në Superiore?
Te Partizani nuk kemi vetëm Hebajn, por edhe Hysenajn që ka dalë nga klubi jonë dhe po aktivizohet kryesisht tek ekipi B. Është edhe Çinari që ka dalë nga Vllaznia. Ndaj, duke pasur këto shkodranë, besoj që Partizani duhet të dalë sivjet kampion.