Sot në Greqi është luajtur një ndeshje shumë interesante e kampionatit U16 në mes Olimpiakos dhe Panathinaikos e fituar nga e para me rezultatin 2-0. Ky është “derbi” më interesant në futbollin grek dhe kuptohet që në çdo grupmoshë që të përballen me njëri- tjetrin ka shumë rivalitet.

Por duhet thënë se për fitoren e sotme të Olimpiakos, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe futbollisti me origjinë shkodrane Andreas Ndoj. Ai është aktivizuar në pozicionin e mesfushorit të qendrës dhe ka qenë nga më të mirët në fushë.

15 vjeçari në fakt luan edhe me ekipin U17 sepse është evidentuar nga drejtuesit e kësaj Akademie por sot ky ekip e ka patur pushim dhe ai ka luajtur me një moshë më të vogël.

Andreas Ndoj duket se ka një karrierë të suksesshme përpara, megjithatë ndonëse po luan si titullar në çdo ndeshje me ekipet e Akademisë së Olimpiakosit, kohët e fundit nuk është preferuar të thirret nga Kombëtarja U17 e Shqipërisë.

Në ditët e ardhshme stafi i ekipeve tona kombëtare do të jetë në Athinë për të bërë seleksionime por me siguri që Andreas Ndoj nuk ka nevojë për seleksionim sepse këtë po e tregon me paraqitjet e tij me klubin aktual i cili është më i mirë aktualisht në Greqi sepse udhëheq me meritë renditjen e kampionatit.
© shkodrasport.com