Me nga një gol të shënuar në secilën pjesë loje, KF Shkodra U17 jo vetëm ia ka dalë të fitojë 2-0 ndaj Partizanit në ndeshjen e prapambetur të kampionatit, por njëkohësisht me këtë fitore, ky ekip ka siguruar përfundimisht daljen në play- off.

Takimi është luajtur paraditen e sotme në fushën sportive të Shtojit dhe është dominuar nga djemtë e drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi.

Ka qenë Musaraj ai që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 30-të dhe ndonëse do të kishte edhe raste të tjera shënimi, nuk do të kishte gola të tjerë gjatë kësaj pjese të parë që është mbyllur kësisoj me rezultatin 1-0 në favor të vendasve.

Në të dytën, si rrjedhojë e presionit të vazhdueshëm të djemve shkodranë, ka ardhur goli i dytë për ta, por që në fakt ka qenë Gaçi që në minutën e 60-të ka shkaktuar autogol në portën e tij. Përfundimisht 2-0 për KF Shkodra U17.

Me këtë fitore, ajo është ngjitur në kuotën e 34 pikëve dhe i pozicionuar në vendin e tretë, është 9 pikë larg skuadrës së vendit të pestë, duke bërë kësisoj që përpara dy ndeshjeve të fundit të kampionatit, të ketë siguruar kalimin në play- off.
www.shkodrasport.com