Një tjetër futbollist titullar është larguar nga skuadra e Kastriotit. Bëhet fjalë për mesfushori Henri Okebugu, i cili nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare ka komunikuar “divorcing” me krutanët. Mesfushori nigerian zhvilloi 32 ndeshje sezonin e fundit, duke dhënë kontributin e tij në qëndrimin e ekip në elitë.

24-vjeçari, i cili ka veshur edhe fanellat e Partizanit e Egnatias, i dha fund aventurës 4-vjeçare me Kastriotin, teksa nuk i kursen falënderimet e shumta në postimin e kryer në rrjetet sociale.

Ja statusi i Okebugut në “Instagram”:

Erdha, pashë dhe fitova. Që nga viti 2018, sezone të mrekullueshme me këtë klub. Një falenderim i madh për Presidentin tim, drejtorin, të gjithë trajnerët me të cilët kam luajtur, të gjithë bashkëlojtarët e mi që iu drejtuan vëllezërve të mi, njerëzve të mrekullueshëm të qytetit të Krujës.

Faleminderit për dashurinë dhe mbështetjen si në momente të mira ashtu edhe në të këqija do të jetë përgjithmonë në zemrën time. E ardhmja është më e ndritshme dhe shpresoj për më të mirën. Faleminderit shumë. Zoti na bekoftë të gjithëve.