KF Shkodra U19 kurorëzohet kampione e grupit A në kategorinë e parë dhe njëkohësisht fiton edhe të drejtën që në sezonin e ardhshëm të luajë në Kategorinë Superiore të kësaj grupmoshe. Një sukses i merituar i këtij ekipi që ka udhëhequr renditjen nga fillimi i kampionatit dhe deri tek ndeshja e fundit, ajo e fituar sot 6-2 ndaj Kastriotit.

Krutanët shënuan të parët me Ndreun por barazoi Malocaj megjithatë Kastrioti shënoi edhe golin e dytë me Hasanin, por vetëm kaq. Djemtë e drejtuar nga trajneri Celufaj kanë reaguar dhe jo vetëm kanë barazuar me Ivzikun, por më pas kanë shënuar edhe katër gola të tjerë.

Autorë të tyre do të ishin Zeneli, Aliaj me 11-metërsh, Gerdeci e Troshani të cilët në këtë mënyrë do të siglonin fitoren e thellë me shifrat 6-2 në favor të KF Shkodra U19.

Ekipi shkodran e mbyll kampionatin në vendin e parë në grup me 40 pikë të grumbulluara në 16 ndeshje të luajtura teksa ka arritur 13 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje ndërkohë që ka patur golaverazhin 58-17.

Në fund të takimit është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të kupës për këtë ekip si fituesin e kategorisë së parë për Grupin A. Ka qenë Altin Xhahysa, ai që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit i ka dorëzuar kupën kapitenit të këtij ekipi duke e kurorëzuar atë si kampion të grupit A në kategorinë e parë për sezonin 2019-2020 ndërkohë që sezonin e ardhshëm ky ekip do të luajë në kategorinë Superiore.
www.shkodrasport.com