Tridhjetenëntë tituj kampionë zbresin sot në “Anfield”, kur Mançester Junajtidi të vizitojë shtëpinë e Liverpulit dhe të rikuperojë ndeshjen e javës së 30-të të Premier Ligës. Me një fitore, “Reds”-at do të ngjiteshin në krye të klasifikimit +2 nga rivalët e Sitit, por duke luajtur një ndeshje më shumë.

KOKË MË KOKË – Liverpuli nuk mposhtet në 7 përballjet e fundit në Premier Ligë me Mançester Junajtidin (4 fitore, 3 barazime). “Djajtë” nuk kanë shënuar në 4 prej 5 transfertave të fundit në “Anfield” në Premier Ligë: tri prej këtyre ndeshjeve kanë përfunduar 0-0. Goli i fundit i Junajtidit në këtë përballje është shënuar nga Xhesi Lingard në humbjen 3-1 në dhjetor 2018.

LIVERPULI – Liverpuli ka fituar 10 ndeshje radhazi në “Anfield” në kampionat dhe janë të pamposhtur në Premier Ligë këtë sezon në shtëpi: 12 fitore, 3 barazime. Skuadra e Jyrgen Klopit ka humbur vetëm një herë në 24 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet:

1-0 përballë Interit në Ligën e Kampioneve. Mohamed Salah ka shënuar 7 gola në 5 përballjet e fundit me Mançester Junajtidin në të gjitha kompeticionet. Sulmuesi egjiptian e ka gjetur vetëm një herë rrugën e golit në 12 ndeshjet e fundit për klubin dhe kombëtaren: me penallti në fitoren 2-0 ndaj Brajtonit. Ibrahima Konate ka shënuar 3 gola në 3 ndeshjet e tij të fundit. Mbrojtësi i Liverpulit priti 19 ndeshje për golin e tij të parë.

MAN. JUNAJTID – Mançester Junajtid ka fituar 2 nga 8 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet (3 barazime, 3 humbje). “Djajtë” do të përpiqen të shmangin tri humbje radhazi në transfertë në kampionat për herë të parë prej prillit 2019. Junajtidi ka mbyllur vetëm një ndeshje pa pësuar gol në 10 transfertat e fundit në të gjitha kompeticionet.

Kristiano Ronaldo është mundur vetëm 1 herë në 6 ndeshje në “Anfield” (4 fitore, 1 barazim). Sulmuesi portugez nuk ka shënuar në asnjë nga pesë transfertat e tij me Junajtidin në vitin 2022.

Gjithsesi ylli portugez me shumë mundësi nuk do të arrijë të grumbullohet për këtë takim, pasi mbrëmjen e djeshme humbi djalin gjatë lindjes së bashkëshortes së tij.

Edhe pse është një tragjedi për portugezin, Liverpuli ka shansin të përfitojë nga kjo për të shpëtuar nga makthi i saj në “Anfield”. Gjithsesi lojtarët e Junajtid, priten që të bëjnë çmos për të marrë tre pikët vetëm për Ronaldon.