Ndryshimet për mirë tek klubi i futbollit Ada vazhdojnë sërish. Pas suksesit që pati me krijimin e ekipit të femrave me të cilin në dy vite të krijimit doli dy herë Kampione e Shqipërisë dhe fitoi një edicion Kupën, njëkohësisht është vazhduar edhe me plotësimin e hallkave të gjithë ekipeve zinxhir të Akademisë teksa tashmë me këtë ekip stërviten futbollistë që nga mosha 10 vjeç. Por presidentët Lazër Matia dhe Alfred Pjetri nuk janë ndalur këtu. Në kuadrin e përpjekjeve për ta bërë Adën një klub sa më serioz, nga dita e sotme, klubi i futbollit “ADA’ ka edhe faqen e saj të internetit. Në adresën www.kfada.com, tashmë mund të gjeni çdo njoftim zyrtar për skuadrën velipojake. Në këtë faqe mund të njiheni me përbërjen e ekipit të të rriturve, atë të femrave, ekipet e Akademisë dhe çdo gjë. Hapësira të veçanta i janë lënë edhe galerisë së fotove dhe videove nga ndeshje dhe aktivitete të Adës që nga krijimi i saj në vitin 1996 dhe deri më sot. Përveç renditje të dy kampionateve të Superiores, ka vend edhe për lajme të përditshme nga ekipet dhe nga ky klub. Shumë interesante një foto me 16 trajnerët që kanë punuar me këtë ekip nga krijimi i tij dhe deri më sot. Për koinçidensë, në 16 vite jetë të Adës, e kanë drejtuar këtë skuadër emra të tillë të mirënjohur të trajnimit si Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Menduh Dedja, Esat Rakiqi, Artan Bushati, Agim Medja, Fatmir Paçrami, Fatmir Axhani, Viktor Plumbini, Petrit Haxhia, Armando Cungu, Ylber Zani, Kreshnik Krepi, Gjon Kola dhe i fundit, Samuel Nikaj.Në pamje të parë, gjithë këta emra duket se kemi të bëjmë me Vllazninë dhe jo Adën. Pikërisht këto emra të njohur trajnerësh por edhe të shumë futbollistëve me emër që kanë kontribuar për Adën në vite, ia rrisin edhe më tepër emrin asaj. Kjo faqe interneti pikërisht këtë qëllim ka, të evidentojë vlerat më të mira të kësaj zone që duhet pranuar se tashmë nuk njihet vetëm për plazhin e mrekullueshëm por edhe për futbollin. Mjafton të themi se ekipi i femrave Ada ka marrë dhe merr pjesë edhe sivjet në Ligën e Kampioneve të Europës.

www.shkodrasport.com