Mbrëmjen e djeshme “Shkodra Sport” përmes një shkrimi ka evidentuar një “gabim” apo “harresë” të Sportklub Vllaznia e cila nuk kishte vënë asnjë njoftim në qytet për ndeshjen gjysmëfinale të volejbollit për meshkuj, atë në mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Në stendën e vendosur në Pedonalen e qytetit dje nuk ka patur asnjë njoftim për këtë ndeshje dhe mbase kjo mund të ishte edhe një arsye më shumë (dhe jo vetëm ajo) e pranisë së një numri jo të madh të tifozëve në këtë takim të rëndësishëm.

Por ndërkohë, reagimi i drejtuesve të klubit ka qenë i menjëhershën në lidhje me kritikën tonë dhe sot është vënë menjëherë njoftimi për ndeshjen e parë finale të volejbollit të meshkujve, atë në mes Vllaznisë dhe Partizanit që do të luhet ditën e dielë, me datë 28 prill 2019, ora 19.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Ne e vlerësojmë reagimin e klubit sepse të gjithë sëbashku duhet të punojmë për të mbushur pallatin e sportit në mbështetje të ekipit që pretendon të shpallet kampion, por sërish ka një tjetër “harresë”.

Tek stenda e volejbollit mungon njoftim për finalen e kampionatit të të rejave, atë në mes Vllaznisë dhe Skënderbeut që do të luhet të dielën në orën 10.00 po në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Dhe në fakt, shumëkush e di që luhet një finale e tillë dhe po ashtu, edhe ato vajza kanë nevojë për mbështetje.
© shkodrasport.com