Java e ardhshme do të dhurojë një ndeshje të pazakontë për futbollin shqiptar, atë mes Vllaznisë dhe Juventusit. Dy skuadrat përballen me ekipin e femrave, teksa kërkojnë një biletë për në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve.

Një duel prestigji për klubin shkodran që pret vajzat bardhezi në “Loro Boriçi” më 1 shtator në orën 19:00 e më pas udhëton drejt Torinos më 9 shtator për sfidën e kthimit në qendrën e Vinovos. Edhe përtej Adriatikut janë të ndërgjegjshëm se vajzat kuqeblu do të jenë një kockë e fortë, ndonëse Juventusi mbetet favorite për sfidën.

Portali italian “Tuttomercatoweb”, duke prezantuar sfidën në fjalë, i jep rëndësi pikërisht faktit se në vazon ku gjendej Vllaznia gjatë shortit, ishte ajo që kishte koeficientin më të lartë e përbënte rrezikshmëri më të madhe. Ja çfarë shkruan media italiane për sfidën e Juventusit me Vllazninë.

“Duke u bazuar te koeficienti, kundërshtar më të keq për Juentusin në turin e dytë nuk mund të kishte, shqiptaret e Vllaznisë në fakt ishin skuadra me koeficientin më të lartë (10.800) mes ekipeve në vazon e dytë në shortin që do të çojë shtatë skuadra në fazën në grupe ku janë kualifikuar fitueset në fuqi të Barcelonës dhe fitueset e kampionateve kryesore në Europë: PSG, Bajern Mynih dhe Çelsi. Në letër është një kundërshtar i tmerrshëm, por realiteti është se Juventusi është superior si në individualitete, ashtu edhe në grup.

Është e vërtetë që te Vllaznia luan thuajse gjysma e kombëtares shqiptare dhe se skuadra bën të ndihet faktori i fushës në shtëpinë e saj, ku do të luhet sfida e parë. Por vajzat bardhezi nuk kanë pse të frikësohen, sidomos në një sfidë të dyfishtë ku kthimi është në Torino. Lojtaret e kombëtareve, italiane apo jo, nuk i mungojnë as ekipit të Montemurros, që në turin e parë kaloi me lehtësi të jashtëzakonshme maqedonaset e Kamenica Sasa dhe nuk vuajtën shumë ndaj austriakeve të St. Polten.

Ndaj, për Juventusin me shumë mundësi do të hapen dyert e fazës në grupe ku garantohen 6 ndeshje të nivelit ndërkombëtar që do të rritnin eksperiencën ndërkombëtare të skuadrës bardhezi dhe koeficientin për edicionin e ardhshëm”, shkruhet në artikullin e portalit italian.