Safet Osja po pret me ankth ditën kur do të rinisë futbolli. Edhe pse Vllaznia nuk është në pozita fort komode, zv.trajneri është i bindur se skuadra do të rimëkëmbet në 10 javët e mbetura.

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, krahu i dajthtë i Mirsad Jonuz nuk na rrëfen vetëm karantinën 67-ditore, por zbulon edhe të pathëna të kohës kur luante vetë futboll. Ish-mesfushori e ka provuar vetë në kurriz kohën kur i është dashur që të bllokohet për 6 muaj në Spanjë prej mbylljes së kufijve, por në 1997-ën shkaku nuk ishte pandemia.


Safet, u bëmë zyrtarisht 67 ditë pa futboll. Kujtoni ndonjë ndërprerje kaq të gjatë gjatë karierës suaj?
Po, në fakt. Është ndërprerë në mars 1997. Dhe jo si pasojë e ndonjë pandemie, por për shkak të trazirave. Ai kampionat rinisi, pavarësisht problemeve të kohës.

Në ’97-ën, në fakt, nuk ra asnjë skuadër nga kategoria edhe pse rinisi sezoni. Çfarë kujtoni nga ai kampionat?


Në atë periudhë kam qenë pjesë e Shqipërisë U-21. Kemi luajtur dy ndeshje me Shqipërinë në Spanjë dhe pas këtyre ndeshjeve kam qëndruar rreth 6 muaj atje. Jam rikthyer në shtator të vitit 1997 në Shqipëri për t’u bashkuar me Vllazninë dhe për të startuar një tjetër kampionat të vështirë.

Si mendoni se duhet të veprojë FSHF për këtë sezon, gjithnjë nëse futbolli nuk rinis? Mos duhet t’u japë edhe një shans të gjitha
ekipeve dhe të mos merren vendime në bazë të renditjes?


Unë mendoj se do ishte më mirë që të zhvillohet sërish kampionati. Nëse nuk starton, do të ishte një humbje në të gjitha aspektet. Unë jam “pro” rifillimit të futbollit.


Si e keni parë Vllazninë këtë sezon?


Vllaznia në përgjithësi ka bërë ndeshje të mira, por në shtëpi kemi lënë shumë pikë. Kjo është gjëja që më ka zhgënjyer më shumë. Ajo që më pëlqen është se grupi funksionon mirë dhe është harmonik.

E mendoni ekipin në një pozicion më lart se ai aktuali?


Pa dyshim. E thashë edhe më sipër, kemi lënë pikë brenda në shtëpi. Por, nëse rifillon kampionati, në ndeshjet e mbetura do të
bëjmë shumë për të mos e mbyllur në pozicionin aktual.

Ju keni komunikim të vazhdueshëm me teknikun Jonuz, cili është shqetësimi që ai ka në këto momente?


Po, kemi kontakte çdo ditë. Ai na udhëzon si ne edhe lojtarët për të zhvilluar stërvitje individuale. Interesohet për çfarë po ndodh dhe është në korrent të gjithçkaje.