Vllaznia u mposht në javën e 23-të të Superiores me rezultatin 0-1 nga Kastrioti. Një humbje që “djeg” shumë pasi erdhi në shtëpi dhe kundër ekipit të fundit në renditje. Patjetër një rezultat i tillë i ka lënë të gjithë të pakënaqur në Shkodër, ku pritej një hov i kuqebluve drejt kreut. Por koha për të “qarë” pikët e lëna ka ikur.

Kjo pasi shkodranët do jenë në fushë që të mërkurën sërish. Kësaj rradhe për çerekfinalet e kupës së Shqipërisë dhe kundërshtar do jetë Partizani. Të kuqtë nga kryeqyteti paraqesin një rival goxha të fortë dhe që do kërkojnë kualifikimin në këtë duel.

Motivimi patjetër në kampin shkodran nuk mungon, jo vetëm nga kundërshtari, por edhe objektivat. Vllaznia nuk i ka pretendimet në këtë sezon vetëm në kampionat, por edhe në kupë. Duke qenë se janë edhe fituesit e dy edicioneve të fundit, lind detyra për të përsëritur suksesin.

Partizani ishte kundërshtar edhe vitin e kaluar në kupë në turin gjysmëfinal. Ku Vllaznia arriti ti kalonte në ndeshjen e dytë në Shkodër pas goditjeve të 11-metërshave. Java që nis sot mund të jetë shumë vendimtare për ecurinë e Vllaznisë këtë edicion.

Ku nuk do jetë vetëm dueli i kupës në mesjavë kundër Partizani, por edhe fundjava me ndeshjen e Superiores. Të dielën kuqeblutë udhëtojnë drejt Durrësit për tu ndeshur me Teutën. Një duel shumë i fortë duke parë edhe formën shumë të mirë që po kalojnë “djemtë e detit”.
Endri ÇINARI