Pas pak ditësh, kombëtar ja italiane nën drejtimin e Roberto Mançinit ka vendosur të bëjë një seleksionim në Konverçano me futbollistë të Serisë A dhe B ku do të evidentohen talente të cilat mund t’i hyjnë në punë kombëtares. Një grumbullim ku gjithsej janë thirrur 53 futbollistë që do t’i përmbahen një programi treditor që përfshin stërvitje, ndeshje dhe kohë e kaluar gjatë vakteve së bashku.
Por ndërkohë që ndodh kjo, një mënyrë tepër e drejtë e punës që bëhet në ekipin kombëtar, në shtetin fqinj dhe përkatësisht këtu në Shqipëri, nuk kemi gjetur ende një trajner që të na drejtojë, edhe pse koha po vazhdon të humbasë kot.
SHQIPËRIA PO HUMBET KOHË- Futbolli ecën me rrjedhën logjikë që: sa më shumë kohë të kesh për t’u përgatitur, aq më mirë mund të krijohet diçka.
Kjo vlen edhe për Kombëtaren tonë, e cila sot që flasim nuk ka emëruar dikë në krye dhe madje nuk ka asnjë njoftim zyrtar që Edi Reja nuk do të rinovojë.
Seleksionimi i fundit që ka bërë Shqipëria për ekipin A ishte në fund të tetorit dhe disa ditë në fillim të nëntorit, ku iu desh të luhej dy miqësore me dyer të mbyllura që nuk i pas askush.
Por tani që flasim, edhe ato pak ditë stërvitje të lojtarëve të Superiores, u bënë nën drejtimin e Edi Rejës, por a vlen kjo tani që do të vijë një trajner tjetër në krye të stolit.
SELEKSIONIMI- Gjatë kohës së botërorit, shumë kampionate ku luanin edhe futbollistë shqiptarë u ndërprenë.
Nëse gjatë kësaj kohe, FSHF-ja do të kishte menduar një trajner për të zëvendësuar Edi Rejën, koha për të bërë një grumbullim të tipit Mançini do të ishte e mjaftueshme.
Por edhe në ditët në vazhdim sërish kohë ka sepse shumë kampionatet nuk kanë filluar akoma dhe ky i joni mbaron. Shqipëria vërtet nuk mund të krahasohet me Italinë që ka një numër të lartë lojtarësh, por sërish ka një numër të konsiderueshëm lojtarësh që aktivizohen jashtë.
Një mbledhje e tillë do i vinte shumë në shërbim përfaqësueses, duke parë edhe dëmtimin e rëndë të Armando Brojës dhe dëmtimet e shpeshta të disa lojtarëve të tjerë, apo edhe moshën e Amir Abrashit dhe Klaus Gjasulës, që ndoshta do ta kenë të vështirë që të jenë në “EURO 2024”.
Një mbledhje e tillë do të jetë pothuajse e pamundur që të bëhet në muajin janar, pasi klubet nuk bien dakord për të lënë futbollistët e tyre.
Atëherë mbetet që trajneri i ri që do të vijë në krye të Shqipërisë, do të stërvisë ekipin disa ditë përpara ndeshjes së parë me Poloninë, në kuadër të kualifikueseve të Europianit.