Kombëtarja shqiptare e boksit prej dy ditësh është grumbulluar në Velipojë teksa do të qëndrojë për 10 ditë aty e më pas do të spostohet për në Voskopojë. Drejtuesit e Federatës I kanë kushtuar vëmendjen e duhur kombëtares kuqezi ngaqë ky është vit olimpik dhe si rrjedhojë do të tentohet sërish kualifikimi për në Lojërat Olimpike.

Në një prononcim për “SHKODRA SPORT” trajneri Zef Gjoni është shprehur se muajin e ardhshëm kombëtarja do të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar që do të zhvillohet në Sarajevë të Bosnjës.

“Kryesia e Federatës duke marrë parasysh faktin se ky është një vit olimpik, ka vendosur ta grumbullojë ekipin kombëtar, fillimisht për 10 ditë këtu në Velipojë dhe pastaj do të ketë edhe një 10 ditësh tjetër në Voskopojë.

Më pas kemi një ftesë për të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar në Sarajevë. Kësisoj po bëhemi gati për aktivitetet që na presin.Në këtë grumbullim janë 3 sportistë të Vllaznisë, 3 të Tiranës, 2 të Teutës dhe 1 i Flamurtarit”- ka thënë trajneri Gjoni.

Ndërkohë I pyetur në lidhje me aktivitetet kombëtare se kur do të nisin ato, trajneri Gjoni është shprehur: “Për ne ka rëndësi të bëjmë këtë turneun në Sarajeve njëherë dhe më pas besoj se do të zhvillohen edhe kampionatet kombëtare ku sidomos ai i të rriturve dhe i të rinjve të rritur, duhet të zhvillohen medoemos sepse edhe në shumë shtete të Europës kanë filluar aktivitetet”.

Boksi shqiptar pas një pritje shumë të gjatë është në pritje të aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe sportistët duken shumë të etur për të treguar vlerat e tyre më të mira.
www.shkodrasport.com