Shumicës së futbollistëve të Vllaznisë dhe madje vetë trajnerit të saj, Mirsad Jonuz, u skadon kontrata pikërisht më 31 maj. Klubi ka menduar që duke paguar lojtarët dhe stafin deri në muajin maj, kur edhe parashikohej mbyllja e sezonit, atëherë do të kishte angazhimin e tyre edhe për muajt qershor dhe korrik, kur edhe do të luhen javët e mbetura të kampionatit.

Mirëpo, pavarësisht faktit se klubi i Vllaznisë mbrohet me udhëzimet që ka dhënë FIFA për shtesat në kontrata të atyre që u skadon brenda këtij muaji, sërish ka një ngërç të madh, i cili duhet zgjidhur sa më parë mes palëve.

Pra, që do të thotë se nëse lojtarët dhe klubi nuk gjejnë një marrëveshje për dy muajt, qershor dhe korrik, atëherë u lind e drejta të largohen nga Vllaznia.

Megjithatë, vetë kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, në lidhje me këtë çështje, ka deklaruar: “Skuadra është paguar për herë të fundit në muajin janar. Pra, ne kërkojmë që të na paguhen edhe katër muajt që mbeten. Bëhet fjalë për muajt shkurt, mars, prill dhe maj.

Pjesën tjetër të sezonit, pra muajt qershor dhe korrik, ne mund të pranojmë të qëndrojmë edhe me një pagë minimale që mund ta vendosë klubi pa problem. Paga e federatës nuk është as për të shtyrë një javë”.

Ndërsa trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, në lidhje me kontratat, ka deklaruar: “Kontrata ime me Vllazninë zgjat edhe 5 ditë të tjera, pra deri më 31 maj. Pas kësaj date unë jam i lirë, kështu që në rast se gjërat bëhen më mirë, do të mund të flisnim me klubin për zgjatjen e kontratës. Nëse situata nuk ndryshon, atëherë e dimë se çfarë do të ndodhë. Pas 31 majit unë nuk kam asnjë detyrim ndaj Vllaznisë”.