Dy ditët e fundit në media ka patur jo pak polemika në mes zëvendëstrajnerit të Vllaznisë Elvis Plori dhe trajnerit shkodran të Teutës Edi Martini. Deklarata e krahut të djathtë të Brdariç se durrsakët zhvillojnë lojën më të shëmtuar nga të pesë ekipet pretendente, nuk i ka pëlqyer numrit 1 të pankinës durrsake.

Ai është përgjigjur, madje ashpër dhe kjo ka bërë që edhe në opinion të krijohet një ndjesi e keqe. Megjithatë, një njeri që i njeh të dy ata, pikërisht Uliks Kotrri mendon se nuk është vendi për polemika. Madje edhe ai vetë, mendon se Teuta nuk bën një futboll të bukur.

Mendoj se ky debat nuk qëndron. Unë them se Plori ka dhënë thjesht një mendim të tijin personal, madje edhe për mua Teuta nuk është se zhvillon ndonjë futboll të bukur. Të bësh futboll të bukur, duhet të shënosh 3-4 gola në një ndeshje.

Ky është për mua futbolli i bukur, ai që e duan të gjithë, sepse po nuk shënove gola, nuk është i pëlqyer nga njerëzit. Megjithatë Teuta ka mbrojtjen më të mirë dhe mund të dalë edhe kampion me këtë lojë që bën, nuk është ndonjë çudi”- është shprehur ish- futbollisti i Vllaznisë.

Kotrri në fakt mendon se nuk është as vendi për polemika dhe madje nuk i quan të tilla ato që kanë ndodhur në mes Edi Martinit dhe Elvis Plorit dhe prandaj ka shtuar:

“Nuk mendoj se ka ndonjë problem mes tyre. Janë gjëra që sheshohen, janë gjëra të momentit, janë nerva të momentit dhe të jeni të sigurtë se nuk ka asgjë mes tyre”./SHKODRA-SPORT.COM/