Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, nuk e fsheh kënaqësinë për kalimin në finalen e Kupës, e për më tepër që përballë kishin një skuadër si Laçi. Për mbrojtësin e krahut të djathtë, skuadra shkodrane është favorite në këtë finale me Skënderbeun, por gjithsesi sipas tij nuk ka vend për vetëkënaqësi.

Në një intervistë për “Panorama Sport” Gurishta komenton edhe përballjen ndaj Apolonisë, të cilën e vlerëson si shumë të rëndësishme për të shkuar tek objektivi titull. Kapiteni komenton edhe shanset që ka skuadra për të bërë dopietë këtë sezon, duke rikthyer titullin në Shkodër pas dy dekadash.

Ai është i bindur se ekipi ka të njëjtën dëshirë dhe entuziazëm për të bërë mirë në këtë fund sezoni, ashtu si në dy fazat e para të kampionatit.

Erdenis, Vllaznia më në fund në finalen e Kupës pas 11 vitesh…

Është kënaqësi shumë e madhe që arritëm këtë objektiv minimal në këtë kompeticion. Së pari, eliminuam një ekip ekspert në Kupën e Shqipërisë si Laçi dhe së dyti Vllaznia rikthehet ne finale pas 11 vitesh.

Ndiheni favorit përballë Skënderbeut për ta rikthyer Kupën në Shkodër?

Të jem realist, jemi favoritë dhe kjo nuk diskutohet, por finalja është finale dhe çdo ekip jep maksimumin për atë ndeshje. Nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi kjo luhet në fund të muajit maj dhe deri atëherë duhet të arrijmë objektiva më madhorë.

A mund të themi se po kthehet Vllaznia e dy fazave të para? Është rikthyer besimi dhe entuziazmi dhe kjo është diçka pozitive, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse akoma nuk kemi arritur asgjë, si në kampionat ashtu edhe në Kupë.

Kanë mbetur edhe 9 ndeshje, mendoni se shanset e skuadrës janë për t’u shpallur kampion?

Kjo është faza më e rëndësishme e kampionatit dhe këto 9 ndeshje duhet t’i konsiderojmë si finale. Mendoj se jemi në momentin e duhur, si nga aspekti fizik dhe psikologjik.

A ka forcë Vllaznia të bëjë dopietë këtë sezon?

Tashme e kemi harruar faktin që jemi në finale të Kupës, sepse është shumë larg, kështu që duhet të jemi të përqendruar në kampionat. Lufta do të jetë në kampionat dhe do të japim gjithçka nga vetja jonë që t’i rikthejmë atë që i mungon Shkodrës pas 20 vitesh. Kemi dy duar dhe dimë si t’i mbajmë edhe dy trofetë.

Të dielën luani në Fier ndaj një ekipi që në letër duket një përballje e lehtë. A mendoni se do të jetë e tillë edhe në fushë?

Nuk është aspak përballje e lehtë, këto dy ndeshjet e radhës kundër Apolonisë dhe Skënderbeut do t’i quaja si më të vështirat. Duhet impenjim maksimal për t’i kaluar me sukses dhe të ecim të qetë drejt synimeve tona.

I druheni një nënvlerësimi të skuadrës në këtë takim?

Nuk do të ketë aspak nënvlerësim dhe ju siguroj që do ta marrim si finale. Do të japim shpirtin në fushë dhe në këtë mënyrë besoj se do dalim me sukses nga Fieri.