Një sezon më parë ka fituar Kupën e Shqipërisë në krye të këtij ekipi dhe pikërisht kjo përvojë positive por edhe ambicjet e drejtuesve të klubit për të fituar të dy trofetë e këtij sezoni, kanë bërë që Kreshnik Krepi të rikthehet sërish në krye të “Juban Danjës”. Ky ekip pretendon të fitojë gjithçka sivjet në futbollin e femrave dhe prandaj kanë zgjedhur këtë trajner për t’I drejtuar. Lajmi konfirmohet për gazetën “Shkodra Sport” nga presidenti I këtij ekipi Ferdinand Jaku I cili do thoshte: “Deri më tani ekipi është drejtuar nga trajneria- lojtare Emanuela Jaku por kuptohet që tashmë përgjegjësia rritet dhe duhej një trajner më me përvojë. Në kushte të tilla zgjodhëm rikthimin sërish në pankinë për Kreshnik Krepin dhe me të do të tentojmë të fitojmë të tjerë trofe”.

Trajneri I ri është prezantuar ditën e djeshme para skuadrës dhe ka nisur menjëherë nga puna. Kohë në dispozicion nuk ka shumë sepse këtë të shtunë nisin ndeshjet e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra. Objektivat për këtë skuadër janë të qarta: të mbrojë trofeun e kupës të fituar edhe një sezon më parë dhe po ashtu, të synojë edhe titullin kampion. Për t’ia arritur këtyre gjërave, “Juban Danja” ka bërë përforcime jo vetëm në pankinë por edhe në fushën e lojës. Ditët e fundit është bërë realitet marrja edhe e katër futbollisteve të tjera. Këtë e ka konfimuar për gazetën tonë presidenti Jaku kur ka thënë: “Për ta bërë edhe më të fortë skuadrën, falë edhe kontributit financiar të dhënë nga donatori Agim Cani me të cilin kemi një bashkëpunim shumë të mirë, kemi bërë realitet edhe marrjen e katër futbollisteve të tjera. Që do të thotë se kemi marrë kapitenen e ekipit tonë kombëtar Aurora Seranajn por edhe tre futbolliste kosovare, Nora Selmanaj, Viona Rexhepi dhe Sara Maliqi. Me marrjen edhe të këtyre katër futbollisteve, tashmë është shtuar shumë konkurrenca në skuadër dhe ne do kërkojmë titullin kampion, për të shpalosur pastaj vlerat tona edhe në Europë”. Gjatë këtyre ditëve, në pritje të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, “Juban Danja” ka zhvilluar edhe tre ndeshje miqësore me ekipe kosovare. Ajo ka barazuar 1-1 me Trepçen, ka fituar 8-2 me Ferizajn dhe së fundi ka fituar 5-0 edhe me Suharekën. Futbolli I femrave në Shqipëri kësisoj duket se po ngjall interes çdo ditë e më tepër. Sidomos kjo më e dukshme është në Shkodër ku janë tre ekipe dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja, dy prej tyre, Ada dhe Juban Danja, janë protagonistet e kampionatit dhe të kupës dhe me shumë siguri edhe sivjet ata të dyja do të diskutojnë me njëra tjetrën se kush do t’I fitojë.
Gjergj KOLA