Mbyllet rrugëtimi i Vllaznisë në Europë edhe për këtë sezon. Ajo ka arritur të ëndërrojë edhe vetëm për 58 minuta në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme në Krajovë sepse më pas ka pësuar tre gola njëri pas tjetrit duke u mundur në këtë mënyrë me rezultatin e pastër 3-0.
Në pjesën e parë, ka dominuar Universitatea e cila ka krijuar edhe 3-4 mundësi të mira shënimi, por janë ndalur nga portieri Zogoviç që është treguar në lartësinë e duhur. Në këtë pjesë, skuadra shkodrane ka patur vetëm një mundësi kur në minutën e 13-të pas një aksioni shumë të bukur, Gurishta krosoi në zonë për Kainë që ishte i pavendosur mirë dhe madje shkaktoi edhe faull.
Si rrjedhojë, ky 45 minutësh, pavarësisht edhe presionit të vendasve është mbyllur në barazim 0-0 duke i dhënë zemër kuqebluve për pjesën e dytë dhe për të tentuar deri në fund kualifikimin.
E dyta nis me një gjuajtje të Jonuzit në minutën e 49-të nga jashtë zone dhe topi kaloi pak centimetra mbi traversë. Një moment ky për të treguar se Vllaznia në pjesën e dytë nuk do të ishte krej pasive në lojë.
Por në minutën e 58-të rezultati do të zhbllokohej. Ka qenë një aksion i gjatë i vendasve dhe Mateiu nga jashtë zone bën një gjuajtje të shkëlqyer duke e dërguar topin në trekëndësh, atje ku Zogoviç nuk ka se çfarë t’i bëjë.
Tre minuta më vonë është Zogoviç që shpëton Vllazninë nga goli i dytë pas një goditje me kokë të Raul Silva, duke e grushtuar topin mbi traversë në goditje nga këndi. Por pikërisht në këtë moment vjen dhe goli i dytë i vendasve teksa godet sërish me kokë Raul Silva dhe këtë herë topi përfundon në rrjetë.
Kaq do mjaftonte që pretendimet e Vllaznisë të merrnin fund, madje në minutën e 80-të do të pësonin edhe golin e tretë të shënuar po me kokë, këtë herë nga Gaman. Kuqeblute kane nje mundesi te mire ne fund per te ngushtuar shifrat me ane te Aralices por gjuajtja e tij nuk eshte ajo e duhura dhe ne kete menyre i gjithe takimi mbyllet ne shifrat 3-0 per Universitatean qe kualifikohet per ne turin e trete ndersa Vllaznia e mbyll ketu rrugetimin e saj./SHKODRA-SPORT.COM/