Medaljet në arenën ndërkombëtare dhe këndimi i himnit shqiptar në ceremoninë e fituesve të Kampionatit Europian të boksit, duket se nuk i mjaftojnë boksieres shkodrane Elsidita Selaj për të patur njëfarë “privilegji” për shkollimin e saj.

Çdo gjë është zbardhur nga një koment i bërë nga trajneri i saj Jetmir Kuçi në profilin e zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shpat Kolgega i cili pak ditë më parë kishte postuar një intervistë të dhënë në një TV duke diskutuar për argumentin: “A mund të zëvendësohet “lufta” e ideve dhe argumentave me luftën e kapsollave dhe mungesës së arsyes? Ndiqeni”- do të shkruante zëvendësministri.

Dhe Kuçi, duket se ka shfryëtzuar momentin për të bërë publik hallin e sportistes së tij teksa i shkruan: “Përshëndetje, Jetmiri, trajneri i boksieres Elsidita Selajt jam. Ju lutem dërgoni nga Ministria një letër që të vazhdojë Insitutin e Fiskulturës sepse jemi duke hasur vështirësi. Këtu në Shkodër kërkojnë një letër nga Ministria. Ju faleminderit, me respekt Jetmir Kuçi”.

Më poshtë bën edhe një tjetër koment të shkurtër ku shkruan: “Zbatoni ligjin për sportin elitar”. Në fakt Kuçi prej kohësh është duke bërë publik shqetësimin e sportistes së tij e cila nuk ka përfituar nga ligji i sportit elitar që favorizon shkollin e sportistëve të nivelit të lartë, por kjo duket se nuk ka ndodhur me Elsidita Selaj, një sportiste që vetëm për një vit i ka dhuruar Shqipërisë një medalje argjendi dhe një bronzi në Europianë.
© shkodrasport.com