Vllaznia do luajë nesër ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni. Shkodranët do jenë përballë Laçit, në finalen e kupës së Shqipërisë. Ku suksesi për kuqeblutë nuk do thotë vetëm fitimi i një trofeu, por edhe një kualifikim në kupat e Europës. Ndeshja do zhvillohet në “Air Albania”, në orën 19:00.

Një duel që do shohë përballë edhe dy ekspertë të futbollit shqiptar, si Mirel Josa në krye të Vllaznisë dhe Shpëtim Duro në krye të pankinës laçiane. Të dy trajnerët kryeqytetas numërojnë nga një kupë të fituar gjatë karrierës së tyre si trajner. Por Vllaznia nuk ka kujtime të mira me Duron si kundërshtar.

Kjo pasi në sezonin 2009-10, kuqeblutë do mundeshin nga Besa e Kavajës në finalen e atij edicioni të kupës së Shqipërisë. Rezultati do ishte 1-2 për verdhezinjtë, që përmbysnin golin e Balajt për shkodranët me rrjetat e Arapit dhe Dhëmbit. Në krye të kavajasve në atë sezon ishte Shpëtim Duro. Kjo ishte edhe kupa e parë për 62-vjeçarin.

Tashmë duket se ka ardhur momenti për revansh i Vllaznisë. Pavarësisht se nga ajo periudhë kanë ndryshuar shumë gjëra, por në krye të skuadrës rivale është sërish Shpëtim Duro. Duhet theksuar se trajneri i laçianëve në vitin 2012 për një periudhë të shkurtër kohore ka drejtuar edhe skuadrën e Vllaznisë.
Endri ÇINARI