Kukësi e sheh ndeshjen e radhës ndaj Laçit si shpëtim. Vetëm fitorja ndaj kurbinasve do të rikthente qetësinë te blutë, të cilët prej shtatë takimesh radhazi kanë harruar shijen e tri pikëve në kampionat, duke mos iu larguar dot vendeve të fundit dhe zonës së ftohtë të klasifikimit.

Aktualisht, pas 32 ndeshjesh në kampionat, verilindorët janë në zonën e “play out”-it, por një trepikësh i mundshëm ndaj bardhezinjve mund t’i largojë përkohësisht nga ky pozicion. Një moment i vështirë në ekipin e drejtuar nga Rraman Hallaçi, sepse nga 21 pikë të mundshme kanë arritur të koleksionojnë vetëm tri prej tyre, duke qenë ekipi me ecurinë më të dobët në këtë fundsezoni.

KURBINASIT SI HAJMALI – Jo më kot Laçi shihet si shpëtim në kampin verilindor, pasi këtë sezon kanë qenë një “hajmali” për ta. Thuhet kështu, sepse bardhezinjtë kanë qenë preja e preferuar e skuadrës së Kukësit përgjatë këtij kampionati, duke qenë 100% të saktë në përballjet ndaj tyre. Në tri takimet e këtij sezoni, blutë i kanë fituar të tria, dy prej të cilave në transfertë dhe një në shtëpi. Bëhet fjalë për të vetmin ekip që kanë mundur t’i marrin nëntë pikë të plota dhe duket se ia kanë gjetur pikat e dobëta për të marrë rezultatin maksimal.

Gjithsesi, tani përballë do të kenë një Laç që kërkon Europën dhe nga ana tjetër Kukësi është në një “shok” edhe në aspektin psikologjik, ndaj nuk do të jetë e lehtë të koleksionojnë një “poker” fitoresh ndaj kurbinasve, të cilët në pesë takimet e fundit kanë arritur pesë fitore dhe dy barazime. Fakti që luajnë në shtëpi shihet si një faktor pozitiv për t’u rikthyer te fitorja, aty ku pritet të kenë edhe mbështetjen e tifozëve në këtë moment të vështirë që po kalojnë.

KALENDARI I FAVORIZON – Mund të thuhet se Kukësi i ka vetë në dorë fatet e tij sa i përket shpëtimit të sezonit. Kjo, duke parë kalendarin që kanë në katër javët e mbetura, i cili deri diku mund të cilësohet si i favorshëm, edhe pse ky sezon ka treguar se çdo kundërshtar është i paparashikueshëm. Përpos Laçit që është rivali i radhës, verilindorët do të kenë më pas dy duele direkte. Fillimisht me Bylisin në transfertë dhe më pas me Erzenin në shtëpi, për ta mbyllur në fund me Egnatian në Rrogozhinë. Në lojë janë 12 pikë, por Kukësi mund ta arrijë mbijetesën edhe me më pak.

PRECEDENTI I FUNDIT – Nëse shikon pikët e koleksionuara deri në javën e 32-të, skuadra e Kukësit ka 9 pikë më pak se një vit më parë. Aktualisht verilindorët janë në kuotën e 37 pikëve, ndërsa sezonin e kaluar kishin 46. Ekipi aktual i përafrohet më shumë skuadrës së para dy sezoneve, ku gjithashtu në fund vuri në rrezik edhe mbijetesën. Në 32 javë verilindorët në sezonin 2020-2021 kishin koleksionuar vetëm 39 pikë.