Shtyrja e ndeshjes me Mamurrasin nuk ka patur ndonjë ndikim të madh tek Ada. Futbollistët e saj janë stërvitur edhe të dielën, edhe të hënën ndërkohë që ditën e djeshme, kanë zhvilluar sencën e zakonshme të pragndeshjes. Për trajnerin Ridvan Kulli është një sfidë shumë e vështirë sepse do përballen me një nga ekipet më të mira të kampionatit. “Unë e kam ndjekur herëpashere  Mamurrasin këtë kampionat dhe ata duhet pranuar se kanë një skuadër të mirë dhe jo më kot janë në vendet e para të renditjes. I kam ndjekur në ndeshjen me Partizanin dhe e merituan plotësisht atë fitore të pastër. Kuptohet që për ne do jetë shumë e vështirë për t’I marrë pikë aq më tepër që luajmë në fushën e tyre. Kemi një ekip me djem të rinj të cilët kuptohet që nuk kanë përvojën e duhur ndonëse I kanë elementet e duhura për t’u bërë futbollist. Mamurrasi ndërkohë ka në skuadër lojtarë të mirë, me përvojë, me një sulmues si Jushi që është ndër më të mirët e këtij kampionati dhe prandaj e përsëris, që do të jetë e vështirë për t’I ndalur. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi pretendime. Do bëjmë çmos t’I shkëpusim një barazim”- ka thënë Kulli. Për ndeshjen e sotme, Adës do të vazhdojë t’I mungojë mbrojtësi me përvojë Isufi që ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi që ka pësuar prej disa kohësh. Por nga ana tjetër, rikthehet në formacion mbrojtësi tjetër Tota që në takimin e kaluar ka munguar për shkak kartonash. Interesante mbetet të shohim se çfarë skeme dhe mënyrë loje do aplikojë trajneri Kulli për të ndalur ekipin kundërshtar. Ada e ka treguar edhe në ndeshjet e mëparshme se luan bukur futboll por në momente të veçanta kanë ndodhur disa gabime të vogla, prej të cilave e ka pësuar. Kështu I ndodhi edhe në ndeshjen e kaluar në transfertë me Ilirinë teksa deri në minutën e 70-të skuadra u mbrojt mirë por më pas, me tre goditje standarte, fushëkrujasit shënuan tre gola dhe fituan ndeshjen. Stafi drejtues I velipojakëve është munduar të riparojë disa gjëra në mbrojtje por edhe në aspekte të tjera të lojës së kësaj skuadre megjithatë kjo mbetet për t’u parë sesi do reagojë në takimin e sotëm me Mamurrasin. Trajneri Kulli pavarësisht faktit se Ada ndodhet në vendin e parafundit në renditje e ka thënë hapur se: “Ada nuk do të bjerë nga kategoria. Gradualisht do rikuperojmë pikët dhe vendet në renditje. Pas Mamurrasit, ku siç e thashë do ishim të kënaqur në maksimum edhe me një pikë, na presin ballafaqimet direkte me rivalët tanë dhe në to do të mundohemi të bëjmë më të mirën për të marrë pikët maksimale dhe nëse ndodh kjo, atëherë shumë gjëra do rregullohen”.
Gjergj KOLA