Opinion nga Senad NIKSHIQI

Vllaznia ime e dashur që nga publikimi im i fundit i një artikulli, kaloi mes shumë vështirësive. Nuk mora hovin që të them diçka sepse ne që kritikojmë po dalim “dashakeqës” dhe jemi nga drejtuesit e skuadrës në listën e “zezë”. Por sonte nuk mund të rri i qetë kur shoh që ajo që po ndodh me Vllazninë kthen në kundërshtarë të fortë ata që deri dje ishin miq. Luan Shpuza, një emër i njohur në qarqet sportive në Shkodër e më gjërë me apo pa të drejtet (ju e gjykoni) bën disa pyetje që i drejtohen krerëve të Klubit Vllaznia. Ai flet për fundosje, “ujqër”, turp, ryshfete, dëme, përgjegjësi, largim tifozësh, kalon tek politika për të ardhur deri tek “shqyerja”, dorëheqja e për të mbërritur deri tek paaftësia. Në fund si barkë shpëtimi sheh mbledhjen e një asambleje urgjente me njerëz të sportit për ta ngritur Vllazninë nga ajo që ai e quan fundosje. Ky shkrimi i Shpuzës në www.shkodrasport.com sjell një reagim apo madje irritim të njërit prej drejtuesve aktual të Vllaznisë. Ish-portieri Armir Grima, sot drejtor sportiv i Vllaznisë në faqen e tij në facebook ndonëse indirekt, e quan Shpuzën një pseudospecialist pa kontribut që flet për moral e kërkon ndershmëri e ndërthurur me akuza e fjalë të rënda. Kaq ka mjaftuar për të sjellë një reagim të Shpuzës, gjithashtu në faqen e tij në facebook që nuk është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë, sesa një sqarim i pozicionit të tij. Ai sqaron se nuk është një matrapaz por një njeri i ndërshëm i cili për dashurinë për sportin në ditët e vështira ka ndihmuar Vllazninë nepërmjet miqve të tij. “Gardh pa çelësa” e quan Shpuza Vllazninë e disa viteve më përpara kur ai ishte aty për ti gjetur “gardhin” e për ti siguruar “çelësin”. Ai shton se puna e tij është ajo e menaxherit që ka për qëllim fitimin e parave si çdo profesion tjetër, përmend kohën e ish-trajnerit Vata dhe e përfundon duke thënë se nuk është ai e keqja e Vllaznisë por drejtuesit aktualë. Në fakt sado kureshtje, sensacion apo çfaredolloj ndjenje tjetër të sjellë ky lloj dueli Shpuza-Grima, nuk është pozitive dhe nuk i shërben askuj, aq më tepër Vllaznisë. Jemi në kohët kur s’duhet të debatojmë personalisht por profesionalisht, s’duhet të debatojmë përmes dallimeve fetare, duke e përzier sportin me politikën apo të garojmë me atë çfarë kemi bërë për të mbërritur deri tek “kapjet” personale virtuale. Absolutisht që kushdo që debaton ka përparësi dhe ndihmon sepse siç e dimë debati është zhvillim. Ajo që them është se nuk i shkon për shtat as Grimës as Shpuzës të kalojnë në anën personale duke i kujtuar njëri-tjetrit kohët e vjetra. Padyshim që të gjithë gabojmë, por siç kudo në botë ndodh, ajo që duhet të bëjmë është të shohim se çfarë na sjell e ardhmja. Të debatojmë për mënyrat se si mund të ndryshohet situata te Vllaznia, përmes kritikave e një dashamirësie për sportin, e jo ta personalizojmë sepse në fakt ngado që ta sjellësh, askush nuk përfiton. Marr shkas të shkruaj duke e ditur që si Armir Grima ashtu edhe Luan Shpuza, janë dy persona me histori të ndryshme por që të dy e duan Vllaznisë dhe aq sa kanë patur forcë e mundësi kanë kontribuar. Po ashtu, shpresoj që kjo ndërmendje të shërbejë për të ulur tensionet për të dy miqtë e mi. Kam besimin se situata e acaruar do të qetësohet shpejt dhe Grima-Shpuza do jenë sërish dy miqtë e mirë të cilët mes tjerash i lidh dashuria për sportin, dashuria për Vllazninë.