Prej disa ditësh Klubi i futbollit “Vllaznia sh.a” funksionon veç tjerash edhe me një adresë zyrtare në web vllaznia.al si një mënyrë shumë e mirë komunikimi përshkodranët e shqiptarët kudo që ndodhen për tu informuar zyrtarisht mbi gjithçka që ndodh në skuadrën kuqeblu. Pas dorëheqjes së Valter Fushaj si President i kësaj skuadre dhe ardhjes në krye të Bashkisë Shkodër, klubit Vllaznia i ka munguar kjo faqe interneti. Shpesh herë për këtë mungesë në drejtim të drejtuesve të Klubit kanë shkuar kritika mediatike por jo vetëm për rikthimin funksional të faqes së internetit. Duke parë trysninë, drejtuesit janë ngutur dhe aktualisht kemi të bëjmë me një faqe gjysmake që nuk i shkon për shtat djepit të futbollit shqiptar, Vllaznisë. Informimi në atë faqe vjen në kohë reale edhe pse lajmet nuk janë të larmishme, janë të sakta. Por ka disa mungesa që nuk duhej ti kishte. Po ta shohësh me kujdes faqen nuk ka asnjë rresht të shkruar për historinë e kësaj skuadre. Nuk thuhet se cila është kjo skuadër, si është krijuar, kur është krijuar, çfarë ka sjellë në futbollin shqiptar, cila janë sukseset më të mëdha, cilat janë vështirësitë që ka hasur që nga momenti i krijimit ky ekip, çfarë vlere ka në vend, sa është përkrahur kjo skuadër nga sportdashësit apo edhe cilët janë ata që i dhanë jetë këtij ekipi që nga momenti i krijimit e deri më sot.
Kjo është e pafalshme sepse ne të gjithë e dimë që Vllaznia nuk është një skuadër dosido. Nuk është një ekip që nuk ka histori apo me një histori të varfër për të cilën nuk ke çfarë të thuash. Përkundrazi. Vllaznia është skuadra me historinë më të pasur në vend. Vllaznia është relike e çmuar e futbollit shqiptar. Vllaznia është e para skuadër që nisi ta luante futbollin në Shqipëri për tu përhapur më pas kudo në vend për të ardhur vite më pas deri tek fillimi i kompeticioneve zyrtare. Vllaznia mban ndeshjen e parë Ndërkombëtare e që nga 1919 e deri tani ka prodhuar figura të shquara pafund që mbeten pjesë e pandarë e historisë pozitive jo vetëm të Shkodrës por mbarë Shqipërisë. Ka shumë për të thënë për këtë ekip dhe ndoshta duhet kohë për të nxjerrë nga historia të gjitha, ama datat themelore, vitet më të suksesshme dhe një histori e përmbledhur e ngjarjeve kryesore të Klubit fare mirë mund të ishte bërë dhe të ishte në faqen zyrtare sot. Kjo jo për ne sepse e dimë, por e para për ta bërë prestigjoze faqen zyrtare të Vllaznisë, të lexueshme e të klikueshme apo të plotë dhe po ashtu për brezat e rinj të Shkodrës e më gjërë që të dinë se cila është skuadra e qytetit ku kanë lindur apo edhe për të gjithë ata që akoma nuk e kanë mësuar ose e dinë të pjesshme apo të pakët historinë e Vllaznisë. Veç historisë nuk ka një vend për figurat e kësaj skuadre në vite që padyshim duhet të jetë i veçante. Përvec 75 themeluesve duhet të jenë patjetër aty emra si Palok Nika, Muhamet Halili, Loro Boriçi, Muç Koxhja, Bimo Fakja, Xhevdet Shaqiri, Paulin Ndoja, Frederik çapaliku, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Esat Rakiqi, Hajrullah Lekaj, Lekë Koçobashi, Medin Zhega, Rauf Çanga, Ismet Hoxhat, Suad Durraj, Seit Çanga, Astrit Hafizi, Ferid Borshi, Ardian Arra, Luan Vukatana, Fatbardh Jera, Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Avenir Dani, Zamir Shpuza, Çlirim Basha, Alban Noga, Astrit Premçi, Luan Zmijani, Armir Grima, Vioresin Sinani, Edi Martini, Suad Lici, Armando Cungu, Safet Osja, Ilir Dibra, Altin Xhahysa, Alban Volumi, Elvis Beqiri, Hamdi Salihi, Albert Kaçi, Uliks Kotrri, Admir Teli për të ardhur deri tek këta të sotmit si Xhevahir Sukaj, Armando Vajushi apo Bekim Bala e Gilman Lika. Këta emra e shumë të tjerë padyshim janë nderi i Shkodrës e nderi i Shqipërisë ndaj meritojnë një vend të veçantë në faqen zyrtare të klubit. Veç kësaj një tjetër hallkë e rëndësishme që mungon aty ka të bëjë me përbërjen aktuale të futbollistëve të Vllaznisë. Kudo të kërkosh në vllaznia.al nuk gjen një listë me emrat e futbollistëve aktual të Vllaznisë. Minimumi lista me të federuarit duhet të jetë aty për të parë e për të ditur të gjithë se cilët janë të gjithë lojtarët që aktualisht luajnë me Vllaznisë. S’po themi se ku kanë lindur, kur kanë lindur e cila është karriera e tyre sportive apo trofetë që kanë fituar nëse kanë të tillë sepse ndoshta duket që kërkojmë shumë, ama thjeshtë lista me emrat e futbollistëve duhet të jetë e publikuar. Vetëm disa foto historike, ndeshjet zyrtare Ndërkombëtare të Vllaznisë në kompeticione të ndryshme, përbërja e stafit dhe lajmet rutinë nuk mjaftojnë në faqen zyrtare për një Klub si Vllaznia sepse është një familje e madhe që kurrë nuk është shuar, përkundër gjithnjë ka dhuruar emocione, suksese, histori e lavdi duke nderuar Shkodrën e duke e bërë krenare. Ndaj meqë mundësitë ekonomike janë nga ana e Bashkisë Shkodër duhet medoemos të investojë më shumë në faqen zyrtare të Vllaznisë vllaznia.al në mënyrë që të tregojë se kush është Vllaznia. Po presim për të parë ndryshimet dhe kthimin e asaj faqe në një të plotë sepse duhet të jetë e tillë. Më shumë se Vllaznia askush se meriton. Një gjë është e faktuar. Kush nuk kujton historinë, nuk mund të krijojë të ardhmen!
Senad NIKSHIQI