Vllaznia do presë sonte në orën 19:45 në “Loro Boriçi” skuadrën e Laçit. Ndeshja do jetë e vlefshme për javën e 10-të të Superligës dhe parashikohet të jetë shumë e luftuar.

Mirel Josa tashmë në krye të pankinës laçiane për një takim si ky në Shkodër duket se do i besojë formacionit të javëve të fundit.

Kështu me një skemë 4-3-3 në portë pritet Dajsinani i cili ka zënë vendin e titullarit kundrejt Sherrit. Mbrojtja e përbërë nga Roganovic në të djathtë, Velija majtas dhe dyshja Ignjatovic dhe Velkoski në qendër. Mesfusha do ketë një mungesë të rëndësishme si ajo e Lushkjes, të cilin pritet ta zëvendësojë Qato.

Përkrah tij priten edhe dyshja e zakonshme Shehi-Deliu. Në krahët e sulmit i pazëvendësueshëm është Mazrekaj e ndërsa një fanellë titullari pritet ti besohet edhe Zikos. Dilema ndoshta për qendërsulmuesin ku Guindo duket më i favorizuar se sa Zarubica i cili pritet ta nisë nga stoli.

Laçianët vijnë pas një forme të mirë në javët e fundit dhe do përpiqen që edhe sot të bëjnë mirë në Shkodër. Gjithashtu duke parë edhe humbjen e fazës së parë në Laç në shifrat 3-5, motivimi për ta do jetë akoma më i madh për sfidën sonte.

Endri ÇINARI