Kampionati shqiptar ngriti “siparin” të mërkurën, ndërsa në fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 28-të. Mungesa më e madhe padyshim që janë tifozët, të cilët s’mund të jenë të pranishëm për shkak të virusit “COVID-19”.

Pas takimit mes Bylisit dhe Tiranës (1-3) ka folur Shkëlqim Hajdari që ishte duke parë nga afër se si e kishin organizuar takimin ballshiotët. Kryeinspektori i përgjithshëm i shtetit dha sinjale pozitive teksa deklaroi se pas pak javësh do të merret një vendim për të lejuar tifozët në stadium.

“Erdha dhe pashë nga afër se si organizatorët kanë marrë masat dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur. Mungesa më e madhe janë tifozët, por po shohim mundësinë që të jenë në stadium në të ardhmen. Ata duan të dëgjojnë tek goditet topi në fushë dhe kurrësesi s’përjetojnë të njëjtat emocione si nga televizori.

Mendoj se duhen përfshirë edhe tifozët në stadium. Nëse s’do të ketë infektime dhe gjithçka do të shkojë mirë për 2-3 javë do të vendosim që t’i rikthejmë pranë ekipeve të tyre duke zbatuar të gjitha protokollet për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, ka përfunduar për Supersport, Shkëlqim Hajdari.

Një lajm i mirë ky për të gjithë sportdashësit, veçanërisht ultrasit që këtë javë u detyruan të ndiqnin takimin nga televizori për shkak të mbylljes së dyerve të stadiumeve./newsport/