Komisioni i Apelit pranë Federatës Italiane të Futbollit ka marrë një vendim që padyshim do të tronditë futbollin italian sa i përket përfshirjes së Juventusit në çështjen e plusvalencave për të përmirësuar bilancet financiare.

Ndonëse prokurori i çështjes, pas rishqyrtimit të dokumenteve kërkoi rihapjen e hetimit dhe dënimin e Juventusit me heqjen e 9 pikëve, Apeli ka shkuar edhe më tej, duke dënuar bardhezinjte me -15 pikë në renditjen e sezonit aktual.

Pas seancës së sotme, ku u dëgjuan edhe një herë palët e përfshira prokurorët e çështjes kërkuan që Juventusi të ndëshkohej me 9 pikë pasi nëpërmjet plusvalencave, duke anashkaluar rregulloret me marrëveshjet fiktive, kishte përfituar për regjistrimin në Europë. Ndaj heqja e 9 pikëve nga klasifikimi, zbriste Juventusin në një distancë të rëndësishme poshtë Romës në renditje, jashtë zonës së Europës, si ndëshkimi më i duhur për ta.

Por Apeli mendoi se Juventusi meritonte më shumë se kaq dhe vendosi që t’u hiqte 15 pikë torinezëve, duke e cilësuar të riohapur falë provave të reja këtë proces. Ndërkaq, janë shpallur të pafajshme klubet e tjera të përfshira në këtë çështje si bashkëpunëtorë të Juventusit, teksa janë dhënë dënime të rënda edhe për ish-drejtuesit bardhezinj, për të cilët do të bëhet kërkesë në UEFA dhe FIFA që pezullimi të jetë ndërkombëtar. Apeli ka dënuar me 2 vite e gjysmë Paratiçin, 2 vite Anjelin dhe Arrivabenen, 1 vit e 4 muaj Kerubinin dhe 8 muaj Nedved.

tani pritet që Juventusi të apelojë këtë vendim, duke iu drejtuar Kolegjit në Komitetin Olimpik Italian, duke kërkuar që të hedhin poshtë këtë vendim i cili praktikisht do të bënte të pamundur sigurimin e pjesëmarrjes në Europë në sezonin e ardhshëm.