Dy futbollistët serbë të ardhur për provë tek Vllaznia, janë stërvitur vetëm dy ditë me ekipin dhe më pas janë larguar nga Shkodra. Vendimi për largimin e tyre është marrë nga ana e stafit teknik të kësaj skuadre sepse portieri Zogoviç dhe mbrojtësi Otasheviç nuk kanë arritur t’i bindin Cungun dhe ndihmësit e tij.
Këta të fundit pasditen e së enjtes kanë zhvilluar një ndeshje kontrolli pikërisht për të parë edhe gjendjen e këtyre dy futbollistëve. Por, trajnerëve kuqeblu nuk u është dashur shumë kohë të binden se serbët nuk ishin për Vllazninë sepse ata nuk kanë bërë diferencën as me futbollistët e rinj që janë aktualisht në skuadër. Në këtë mënyrë, për momentin asnjë futbollist tjetër i huaj nuk është në provë tek skuadra shkodrane. Megjithatë, nga dita e hënë gjërat mund të ndryshojnë sërish dhe në provë mund të vijnë të tjerë futbollistë. Drejtuesit e klubit megjithatë nuk janë duke e mbajtur shumë mendjen tek lojtarët që vijnë në provë. Ata vazhdojnë punën për rinovimin e kontratave me të gjithë futbollistët që janë aktualisht në stërvitje. Pasi ka firmosur Kalaja dy ditë më parë, të njëjtën gjë kanë bërë edhe Tafili dhe Marku dhe pas tyre, do të hedhin firmë edhe të tjerët. Sakaq, ndonëse u duk se pista e mesfushorit Edon Hasani u mbyll ngaqë lojtari kërkohej nga Partizani, ajo është rihapur sërish dhe 25 vjeçari mund të përfundojë tek Vllaznia.
© shkodrasport.com